Shqipëria i bashkohet NATO-s
Dje në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington DC, kishte festë. Miq nderi ishin Shqipëria dhe Kroacia. Këto dy vende të Ballkanit hodhën hapin e parë zyrtar drejt hyrjes në Aleancën e Atlantikut të Veriut, anëtarësim që do të marrë fuqi me vendimin e 26 vendeve anëtare në datat 3 dhe 4 prill. Në një ceremoni të veçantë, Shqipëria dhe Kroacia dorëzuan dokumentet e anëtarësimit në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Hallka e parë e rëndësishme e këtij zinxhiri është dorëzimi zyrtar i këtyre dokumenteve përfundimtare që de fakto i ka bërë dje dy vendet anëtaret më të reja të NATO-s. Në një njoftim për shtyp në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhej: “Në një ceremoni në Departamentin e Shtetit, zëvendëssekretari Stajnberg pranoi instrumentet e aderimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut për Shqipërinë dhe Kroacinë, për të cilat SHBA-ja është qeveria përgjegjëse për marrjen në dorëzim. Në momentin që zëvendëssekretari mori instrumentet e aderimit, Shqipëria dhe Kroacia u bënë aleate të NATO-s”. Më tej në qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane përmendej emri i Kryeministrit shqiptar, i cili do të ulet në tryezën e diskutimit krah kryeministrave të vendeve anëtare të NATO-s. “Ne mirëpresim përmbylljen e procesit të aderimit para samitit të 60-vjetorit të NATO-s në 3 dhe 4 prill, ku Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe Kryeministri kroat, Ivo Sanader, do të zënë vend për herë të parë duke përfaqësuar vendet e tyre si anëtare të Aleancës”, - thuhej në njoftimin e djeshëm të DAP-it.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar këtë akt si respekt të aleancës ndaj përpjekjeve të dy vendeve. Zëvendëssekretari i Shtetit, Xhejms Stajnberg, duke i përshëndetur të dy vendet tha se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë shënon një arritje të madhe, jo vetëm për qeveritë tyre, por edhe për popujt e këtyre dy vendeve, për vendosmërinë e treguar për të bërë punën e duhur për anëtarësim. “NATO-ja, - tha ai, - i shikon me shumë seriozitet kushtet e anëtarësimit, sepse ato janë shumë të rëndësishme për funksionimin e aleancës. “Aleanca, kërkon standarde të larta nga vendet anëtare dhe anëtarësimi është një shenjë respekti për përpjekjet e këtyre vendeve”, - tha zyrtari i lartë amerikan. Kjo ishte një ceremoni e thjeshtë, ku Shqipëria dhe Kroacia u përfaqësuan nga ambasadorët përkatës në Uashington DC, Aleksandër Sallabanda dhe Kolinda Grabar-Kitaroviç, ndërkohë që festa e vërtetë pritet të jetë në samitin e Strasburgut pas dy ditësh. Por falë dorëzimit të këtyre dokumenteve, nuk ka më asnjë ekuivok për vullnetin e Aleancës për të pritur në gjirin e saj dy vendet e reja. Gjithashtu, pas hedhjes së një hapi të tillë në takimin e lartë të NATO-s më 3 dhe 4 prill kryeministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë do të marrin pjesë në takimin e vendeve anëtare për herë të parë si anëtarë me të drejta të plota të Aleancës.
Sheferi telefonon Berishën:
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, nuk ka pritur gjatë pas ceremonisë zyrtare të anëtarësimit në Uashington, por i ka telefonuar Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për ta uruar. Siç njofton zyra e shtypit pranë Kryeministrit, ai i përcolli urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, këtë ditë të madhe për kombin shqiptar, si dhe i shprehu kënaqësinë e tij për takimin që do të ketë me Kryeministrin Berisha në samitin e Strasburg-Kehlit, si dhe më pas në takimin e 7 prillit në Bruksel. Kryeministri Berisha i shprehu Sekretarit Shefer mirënjohjen më të thellë për stafin e tij dhe vendet anëtare të NATO-s. Kryeministri Berisha u shpreh: “Me mbështetjen dhe kontributin tuaj, ju u bëtë pjesë e një akti nga më madhorët në historinë e kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, për të cilën shqiptarët do t’ju jenë përjetë mirënjohës”.
Topalli: NATO e BE i besuan qeverisë shqiptare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ia ka dedikuar takimin e saj të djeshëm dy ngjarjeve të rëndësishme që u shënuan pikërisht dje, hyrja në NATO dhe hyrja në fuqi e MSA-së me BE-në. Në komunat Bushat, Dajç e Bërdicë në Shkodër, kryetarja e Kuvendit tha se të gjithë ne duhet të ndihemi krenarë, kur zbatimi i MSA-së bën të mundur nga sot, që prodhimet shqiptare të jenë pjesë e tregut të BE-së. Falë zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria ka nënshkruar kontratën e bashkëpunimit me BE-në. Ajo e ka cilësuar këtë arritje si besim që kanë krijuar qeveritë e vendeve anëtare të këtyre organizmave në reformat e qeverisë shqiptare. “Në këto pak orë të mbetura nga numërimi i momentit të anëtarësimit në NATO, kryetarja e Kuvendit tha se kjo ngjarje madhore, sublime për historinë kombëtare, e klasifikon Shqipërinë, si vendi i progresit, si vendi që e kanë besuar dhe mbështetur të gjitha parlamentet, qeveritë e BE-së dhe NATO-s”, - tha ajo. Më tej, kryetarja e Kuvendit tha se ekziston një ndryshim i madh mes premtimeve të mbajtura të mazhorancës së djathtë dhe retorikës politike, pa bukë, të opozitës. “Ne, gjatë kësaj periudhe kemi sjellë besimin për ndryshim, kemi sjellë progresin, kemi qenë seriozë dhe ju na keni besuar. Pala tjetër sjell vetëm panik, flet për gjëra të çuditshme, vetëm mashtron”, - u shpreh ajo.