Kryeministri Nano dha sot një intervistë për BBC në shqip. Ai tha se Shqipëria do të votojë në favor të dokumentit përfundimtar. BBC: Cilat janë shqetësimet kryesore të Shqipërisë qÃ

Kryeministri Nano dha sot një intervistë për BBC në shqip. Ai tha se Shqipëria do të votojë në favor të dokumentit përfundimtar.
BBC: Cilat janë shqetësimet kryesore të Shqipërisë që do ti bëni të njohura në Johanesburg?
Zoti Nano: Takimi i Johanesburgut ka në fokus problemet e një zhvillimi të qëndrueshëm të njerëzimit duke përballuar sfidat e identifikuara si kërcënime për brezat aktualë për ekujlibret e planetit, si dhe për strukturën themelore të konsumeve dhe të ekujlibreve ekologjike. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria vjen me të njëjtat angazhime për të krijuar struktura dhe institucione, politike dhe realitete, të një zhvillimi të qëndrueshëm që ekujlibron kërkesat e një mjedisi të shëndetshëm - ne jemi shumë larg ndotjeve apo shkatërrimit të mjedisit që ka ndodhur në nivel global - ato të aktivizimit të resurseve vendase dhe të krijimit të një hapësire konkuruese ekonomike që na mbron denjësisht në kuadrin e hapjes dhe të integrimit në tregjet globale. Shqipëria do të votojë për dokumentin politik themelor, që tërheq vëmendjen e aktorëve globalë tek nevoja e marrjes së masave korrigjuese të katastrofave të derisotme të mjedisit, të energjisë, të ujit të pijshëm, të varfërisë dhe të politikave komercialiste të disa vendeve të industrializuara deri më sot. Dhe ne nisëm qysh sot prezantimin e angazhimeve të qeverisë së re dhe prioriteteve tona në integrim.
BBC: Zoti kryeministër, megjithatë, hallet e botës si varfëria, degradimi i mjedisit apo problemet e energjisë, shërbimit sanitar, apo edhe të ujit të pijshëm, reflektojnë realitetin shqiptar apo jo?Çfarë angazhimesh ka qeveria shqiptare që ju drejtoni për ti kapërcyer në një perspektivë të afërt këto probleme?
Zoti Nano: Ne po strukturojmë marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale si anëtarë të OKB-së dhe si një vend që jo vetëm gëzon asistencën e organizatave ndërkombëtare dhe të qeverive të vendeve të industrializuara për zhvillim, por edhe kontribuon me politikën, me njerëzit, me rusurset, me institucionet e saj dhe të shqitarëve - që tashmë kam përshtypjen se janë 20 milionë qytetarë në të gjitë botën - duke synuar që në procesin e përafrimit dhe asociimit, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në realitetet globale, të integrojmë edhe sistemet ekonomike, sistemet energjitike, sistemet hidrike, sistemet ekologjike, të adoptojmë jo vetëm politika të zhvillimit të shëndetshëm, të qëndrueshëm të mjedisit ekologjikisht të mbrojtur në këtë integrim, por të kontribuojmë me disa nga resurset tona të përtëritshme, siç janë rezervat hidrike, apo flora dhe fauna ende e pa inkuinuar, ose ende e virgjër, në mënyrë që, duke pasur avantazhin e atij që vjen pas, të mos përsërisim në zhvillimin dhe integrimin tonë global gabimet e të tjerëve, si për shembull turizmin e betonuar.
BBC: Dhe kur është fjala për shërbimin sanitar, Shqipëria ballafaqohet me një shërbim sanitar më të shkatërruar se ai i dhjetë viteve më parë.Çfarë planesh keni ju si qeveri?
Zoti Nano: Unë besoj se kjo që ju tërhoqët vëmendjen e dëgjuesve është tashmë një nga angazhimet kryesore të programit të luftës kundër varfërisë dhe të rritjes ekonomike që Shqipëria implementon në bashkëpunim me Bankën Botërore, sepse programet e reformës dhe të konsolidimit të sistemit të kujdesit publik për shëndetin apo të arsimit bashkëkohor të brezave shqiptarë janë dy nga prioritetet themelore të këtij programi. Nga kjo pikëpamje, ne do të vazhdojmë të plotësojmë legjislacionin dhe të integrojmë sistemet e arsimimit dhe të kujdesit publik për shëndetin, si dy komponentë themelorë të riprodhimit brezave shqiptarë, në mënyrë të garantuar dhe të shëndetshme, duke integruar sistemet publike dhe sistemet private dhe duke kërkuar që pjesë e integrimit dhe investimeve të huaja direkte në Shqipëri të jenë edhe projektet në fushën e arsimit dhe të shëndetsisë pa asnjë rezervë.
BBC: Kur është fjala për ujin e pijshëm, Shqipëria ujë ka dhe ujë nuk ka. Ajo ka ujë për të eksportuar, por nuk ka ujë në të gjitha çezmat e shtëpive shqiptare. Është fjala për ujin e pijshëm, zoti kryeministër. Kam parasysh edhe problemet e mëdha që ka qytetari i Tiranës me ujin e pijshëm...
Zoti Nano: Kjo është një pyetje e mirë që sjell në vëmendjen tonë, të komunikimit me publikun, atë të vërtetë që Shqipëria është unikale në Evropë në pikëpamjen e rezervave hidrike të përtëritshme, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ujin e pijshëm, por për rezerva hidrike për prodhimin e energjisë elektrike. Prandaj ne po zbatojmë një strategji e cila mbështetet në integrimin e sistemeve teknike me Italinë dhe Greqinë, me sistemet bazë të normalitetit të prodhimit dhe konsumit të brezave, nga pikëpamja rajonale dhe globale duke i vlerësuar shumë më tepër se më sot, duke i bërë pjesë të paketave dhe marrëveshjeve të kooperimit dhe integrimit të nevojave të të tjerëve për ujin e pijshëm të Shqipërisë, që të ballancohen dhe të kushtëzohen me nevojat e Shqipërisë për të fuqizuar sistemin energjitik dhe me nevojat e saj për të përmirësuar infrastrukturën urbane, infrastrukturën e ujit të pijshëm në shërbim të urbanizimit dhe nga pikëpamja e ngritjes së standartit të jetesës qytetarëve të Shqipërisë nga nivelet e qytetarit evropian.
BBC: Zoti kryeministër, në mediat evropiane herë pas here tregojnë me gisht pesë plagë (deri tani) të ndotjes së mjedisit në Shqipëri, është fjala, ndoshta, për uzinën kimike në Durrës, apo atë në Fier, apo të tjera të kësaj natyre.Çfarë po bën qeveria për të shëruar këto plagë?
Zoti Nano: Natyrisht, ka zona që janë dëmtuar rëndë nga shfrytëzimi i paarsyetuar nga pikëpamja perspektive, siç bëhet fjalë për industrinë kimike apo të naftës në pjesë të veçanta të territorit. Unë besoj se programet qeverisë dhe përfshirja e kondicionalitetit ekologjik për planet e zhvillimit që ne implememtojmë në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, bëjnë të mundur jo vetëm rekuperimin e mjedisit tonë natyror shoqëror dhe ekonomik, por edhe vazhdimin e rritjes në parametra të pranueshëm për një zhvillim të qëndrueshëm, siç po arsyetojmë dhe këtu në Johanessburg.