E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Nano pershendet veprimtarine e organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në përkujtim e festim të 10-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Pali të II-të në Shqipëri dhe sh

Kryeministri Nano pershendet veprimtarine e organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në përkujtim e festim të 10-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Pali të II-të në Shqipëri dhe shugurimit të katër ipeshkëve

Ne kete mesazh thuhet:

''I dashur dhe i respektuar ate!

Kam nderin dhe një kënaqësi të veçantë që në emrin tim personal dhe të Qeverisë Shqiptare, të përshëndes këtë veprimtari tepër të rëndësishme dhe mbresëlënëse të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në përkujtim e festim të 10-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Pali të II-të në Shqipëri dhe shugurimit të katër ipeshkëve.

Ngjarja që evokojmë e festojmë sot, megjithëse kanë kaluar 10 vjet, është dhe do të mbetet e gjallë në mendjet dhe në zemrat e çdo shqiptari. Të gjithë shqiptarët e pritën dhe e përjetuan 25 prillin 1993, si një ngjarje unikale dhe historike. Trualli shqiptar që e priti dhe e përcolli për në Romë Shën Palin, e meritonte të festonte në mënyrë të veçantë 2000-vjetorin e lindjes së Kristianizmit dhe të priste në gjirin e vet një Papë.

Pritja që iu bë Shenjtërisë së Tij në Tiranë e Shkodër është e papërsëritshme. Papa Gjon Pali i II-të bekoi tokën shqiptare dhe gjithë shqiptarët. Ishte ky bekim i shenjtë që ringjalli besimin në vitet e vështira të tranzicionit dhe i dha krahë shpresës për një të ardhme më të mirë, për ndërtimin e një shoqërie me të vërtetë demokratike, ku të sundonte paqja, mirëkuptimi, respekti për të drejtat e njeriut dhe drejtësia.

Më lejoni me këtë rast të përshëndes e uroj veçanërisht ipeshkvët e shuguruar nga Papa 10 vjet me parë dhe në emër të qeverisë të falenderoj në radhë të parë Kishën Katolike të Shqipërisë për kontributin e dhënë në rilindjen dhe konsolidimin e vlerave më të mira shpirtërore universale të shqiptarëve.

Celebrimi festiv i 10-vjetorit të vizitës së Papës përkon me shenjtërimin nga Selia e Shenjtë të Nënë Terezës, simbolit të krenarisë për të gjithë shqiptarët. Të gjithë jemi në pritje të këtij shenjtërimi që na fisnikëron.

Duke perifrazuar porositë e Papa Gjon Palit të II-të, dëshiroj të uroj nga zemra: „U shtoftë përkujdesja, mbështetja, ngrohtësia e dashuria mes nesh, mes të gjithë shqiptarëve".

Edhe një herë lus mirëkuptimin tuaj për t'ju përshëndetur përunjësisht,''

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›