E Diel, 1 Nëntor 2026

- Kryeministri Nano takohet me autoritetet më të larta të Shangait, e konsideruar zona më e zhvilluar industriale në Kinë - Kryeministri Fatos Nano, në përfundim të vizitës së tij zyrtar

- Kryeministri Nano takohet me autoritetet më të larta të Shangait, e konsideruar zona më e zhvilluar industriale në Kinë -

Kryeministri Fatos Nano, në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Kinë, ka zhvilluar takime në Shangai, i cili konsiderohet zona më e zhvilluar industriale e vendit dhe ku mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme strategjike janë të shumta. Kjo ka qenë tema qendrore e bisedimeve që Kryeministri Nano ka zhvilluar me autoritetet e larta të kësaj qendre, e cila numëron rreth 17 milion banorë.

Përfaqësuesit e lartë të Shangait deklaruan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Shqipërinë jo vetëm për shkak të miqësisë së vjetër dhe kulturës shqiptare aq të njohur edhe në këtë qytet, por dhe të potencialit investues që ky qytet është duke zhviluar në mënyrë dinamike në tregjet ndërkombëtare dhe Shqipëria, thanë ata, përbën interes të veçantë në këtë drejtim. "Qyteti që drejtojmë, që është një pikë strategjike e Kinës, ka tashmë prezente kompani të fuqishme të njohura ndërkombëtarisht dhe teknologji të përparuar në shumë fusha. Ai është i gatshëm të bashkëpunojë drejpërdrejtë me vendin tuaj në fusha me interes të përbashkët", u shprehën ata. "Kam zhvilluar bisedime të frytshme këtu në Kinë, - tha Kryeministri Nano, i cili përmendi një sërë marrëveshjes të rëndësishme të nënshkruara në Pekin, që i hapin rrugë drejtpërdrejtë bashkëpunimit tonë". Gjatë takimit u theksua nevoja e bashkëpunimit në veçanti në fushën teknologjike. Ky qytet përbën elitën e teknologjisë industriale, me një bazë të fuqishme tekniko-shkencore dhe ku janë aktive dhe zhvillohen një sërë projektesh të rëndësishme strategjike.

Gjithashtu u diskutua dhe u ra dakort që së shpejti mes Tiranës dhe Shangait të nënshkruhen marrëveshje në fushën e arsimit të lartë, e cila do të nxisë lidhjet dhe shkëmbimet e ndërsjellta midis universiteteve të këtij qyteti me ato shqiptare.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar është vendosja e bashkëpunimit të ndërsjelltë përsa i përket teknologjisë dhe modenizimit mes portit më të rëndësishëm dhe strategjik të Kinës, atij të Shangait dhe portit më të madh shqiptar të Durrësit. Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron kanë vizituar edhe Qendrën e Industrisë së Lartë, një instititut modern që prodhon politika dhe metoda të reja të zhvillimit dhe zbatimit të teknologjisë më të fundit bashkohore në arsim, energjitikë etj. dhe ku është shprehur, gjithashtu, gadishmëria e të dyja palëve për implementimin edhe në Shqipëri të projekteve më të avancuara në këto fusha. Kryeministri gjatë vizitës së tij në Kinë ka zhvilluar gjithashtu takime në këtë funksion në një tjetër zonë industriale, atë të Xian-it.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›