E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimi i pasurive të krimit, gjykata përcakton administratorët

Vendimi i qeverisë për disa ndryshime në administrimin e pasurive që krijohen pas zbatimit të ligjit “Antimafia”

Qeveria vendosi dje në mbledhjen e radhës se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara të krimit, do të duhet t’i raportojë Gjykatës për Krime të Rënda për atë që është bërë me këto pasuri, si dhe emrat e administratorëve të tyre.

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton se kjo agjenci detyrohet me ligj që brenda datës 30 dhjetor të çdo viti, të raportojë mbi procesin e administrimit të të gjitha pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në zbatim të ligjit të hartuar një vit më parë “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Ndër të tjera, duke sqaruar kompetencat dhe funksionimin konkret të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vendimi i ri i qeverisë përcakton të drejtën e gjykatës për zgjedhjen e administratorëve, sipas listës së paraqitur nga kryeadministratori.

“Pagesa e tyre dhe administrimi i pasurive, i caktohet kësaj agjencie me ligj apo me një akt tjetër nënligjor dhe miratohet, rast pas rasti, nga ministri i Financave, pas propozimit të kryeadministratorit.
Ndërkaq, pagesa e personave të tjerë, të punësuar në agjenci, përcaktohet nga ministri i Financave, në përputhje me organikën dhe strukturën e miratuar nga Kryeministri”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Po ashtu, në vendim theksohet se “kontratat e lidhura me administratorët e pasurive dhe personat ndihmës, vijojnë efektet ligjore deri në përfundimin e tyre dhe me përfundimin e afateve, zëvendësohen”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›