Dënohet katër vjet Moxhi,Bogdani tani pa menaxher
Sulmuesi shqiptar ka ngelur tani pa menaxher. Agjenti i tij në Itali, Alesandro Moxhi, djali i Luçiano Moxhit, është dënuar nga drejtësia italiane që për katër vitet e ardhshme të mos ushtrojë më profesionin e menaxherit. Ky vendim është marrë dy ditë më parë dhe duket se gjatë merkatos së verës, ku Bogdani pritet të jetë sërish në qendër të vëmendjes, do t'i duhet të gjejë një menaxher tjetër. Shpesh herë bomberi kuqezi ka pohuar se ka marrëdhënie të shkëlqyera me menaxherin e tij dhe se ai ka qenë gjithnjë një mbështetje e madhe, por tani do t'i duhet të mendojë për një agjent tjetër. Alesandro Moxhi u cilësua fajtor pas përfundimit të procesit gjyqësor, në lidhje me skandalin e kompanisë menaxheriale "GEA". Kjo kompani e drejtuar nga djali i Luçiano Moxhit, akuzohej se kishte vepruar në mënyra të parregullta në lidhje me transferimet e disa lojtarëve.