Pas vizitës së Atit të Shenjtë, a po troket një Pranverë në Kubë?
Vizita 3 ditore e Papa Benediktit XVI në Kubë shënoi një moment historik për Kishën Katolike. Kardinali i Havanës Jaime Ortega e quajti “pranvera e besimit”. Mbetet e paqartë nëse kjo vizitë do të ndryshojë diçka për Kubën. Shumë analistë mendojnë se për këtë duhet ende kohë. Vizita duket se siguroi një rol gjithnjë e në rritje të Kishës në shoqërinë kubane dhe në politikë, si dhe një lloj ekuilibri të forcave në vend, ku besimi fetar shpërfillej dikur. “Kisha Katolike në Kubë ka marrë një rol më të madh. Për herë të parë është vendosur dialog me qeverinë për politikat e brendshme”, u shpreh Philip Peters, një ekspert kuban dhe zëvendës president i Institutit Lexington. “Kisha ka nxitur mjaft reformat ekonomike”. Kisha shpreson së pari që vizita e Papës të ketë sjellë ringjallje shpirtërore në Kubë, aty ku besimi fetar u stigmatizua për dekada me radhë pas revolucionit të vitit 1959. Pavarësisht kësaj, kisha mbetet institucioni më ndikues dhe më i rëndësishëm jashtë qeverisë, një fakt që liderët kubanë duket se më shumë se kurrë janë të gatshëm ta njohin. Papa Benedikti shfrytëzoi udhëtimin për disa kërkesa të parashtruara gjatë takimit me Raul Kastron ditën e martë, ku u përfshinë edhe njohjet zyrtare të së Premtes së Mirë, si ditë pushimi kombëtare, si dhe e drejta për të hapur shkolla fetare. Në fakt, Kisha vitet e fundit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën e edukimit duke ofruar programe të caktuara.
Fillimi i shkrirjes së akujve/Vizita e Benediktit u krye pikërisht 14 vjet pas udhëtimit të Papa John Paul më 1998. Shumë kubanë ishin të mendimit se kjo ishte shkrirja e akujve në marrëdhëniet kishë-shtet. Ndërkohë që Fidel Kastro organizoi një pritje të ngrohtë më 1998, vëllai i tij dhe presidenti aktual Raul Kastro, ishte shumë më i vëmendshëm ndaj kësaj vizite të rëndësishme. Kritikët e konsiderojnë ndryshimin e marrëdhënieve kishë-shtet si një martesë mbinatyrore, duke qenë se kisha nuk ka bërë aq sa duhet për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Kisha argumenton se angazhimi i saj me qeverinë është i nevojshëm për realitetin politik në Kubë. “Kisha nuk e pranon këtë sistem politik. Ajo do të gjejë mënyra si të përmirësojë jetën dhe dinjitetin njerëzor”, tha At Juan Molina, drejtor i çështjeve me Amerikën Latine gjatë një konference me peshkopët katolikë. “Marrëdhëniet e përmirësuara janë në interes edhe të Kishës Katolike, edhe të qeverisë kubane, po ashtu është e qartë që Kisha do të donte të shihte të kryheshin sa më shpejt reformat politike në ishull” u shpreh Geoff Thale, një drejtor i programacionit për çështjet me Amerikën Latine. “Ndërkohë që nuk besoj se do shohim veprime të menjëhershme për të drejtat e njeriut në Kubë” si rezultat i vizitës së Papës, Thale shton se “ka përforcuar aftësinë e Kishës Katolike për më shumë hapësira dialogu dhe debate… që janë thelbësore për krijimin e një klime që favorizon të drejtat njerëzore”. Papa Benedikti XVI ka përsëritur nevojën për “liritë autentike” që janë shumë të rëndësishme për krijimin e një “shoqërie të hapur”.
Lëmi i argumentit/Raul Kastro është shprehur para vizitës së Papës se “Për Kubën, vizita e Papës ofron legjitimitetin e nevojshëm për pranimin ndërkombëtar”. Kur foli për reformat, u shpreh se përshtatja e tyre është e vështirë për Kubën pas dekadash kontrolli të ngushtë ekonomik dhe shoqëror. Papa Benedikti XVI dha një mesazh ripërtëritjeje dhe pajtimi për kubanezët që kërkojnë ndryshimin. “Vendit i nevojiten reformat ekonomike dhe ripërtërirje fizike, por është një angazhim shumë i madh edhe ripërtëritja morale. Kristianizmi mund të na ndihmojë” u shpreh Oscar Espinosa Chepe. “Kisha nuk ka nevojë për më shumë peshë në shoqëri. Mendoj se shoqëria po funksionon më së miri. Këtu ka kujdes shëndetësor dhe arsimim” u shpreh mësuesi i quajtur Esperanza Gonzales. “Jemi gati për pajtim, por mendoj se të mërguarit në Majami nuk e dëshirojnë këtë gjë” shtoi. Por mesazhi i Papa Benediktit XVI po qarkullon kudo, për të gjetur ritmin e ndryshimit. Kryepeshkopi i Majamit Thomas Uenski, i cili drejtoi një grup me qindra kuban-amerikanë gjatë vizitës së Papa Benediktit XVI këtë javë në Kubë u shpreh: “Interesat e Atit të Shenjtë dhe të kishës këtu në Kubë janë për ndryshimin që do të pësojë Kuba së shpejti”.
Përktheu Rudina Dahri