Kryeministri Papandreu premton që në vitin në vijim ta reduktojë deficitin me 4%
Deklaratat zyrtare të Greqisë të bëra gjatë ditës së djeshme flasin për premtime në lidhje me reduktimin e deficitit buxhetor nën limitin e 3% të vendosur nga BE-ja, një vit para planit. Pak para mbërritjes së zyrtarëve të lartë të BE-së në Athinë në një vizitë inspektimi, Kryeministri ka vendosur një objektiv edhe më ambicioz në lidhje me përmirësimin e situatës ekonomike, duke synuar që të rrisë dhe nxisë besimin e BE-së, por edhe të vetë grekëve e biznesit vendas. Zyrtarët e lartë të BE-së do të diskutojnë në lidhje me masat që do të merren për të reduktuar deficitin.
Qeveria u zotua në dhjetor që të ulte shifrën e lartë të deficitit, duke qenë se situata është me të vërtetë shumë e rëndë. Vitin e kaluar ajo ishte 12% e Prodhimit Kombëtar Bruto. Premtimi i qeverisë në dhjetor ishte që ta ulte këtë deficit me 8.7% në vitin në vijim. “Greqia duhet të kuptojë se situata është shumë e rëndë dhe të përgatisë për daljen prej saj një plan të qartë dhe të zbatueshëm e të mos mbetet vetëm në kuadrin e premtimeve”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i BE-së. Pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar, qeveria socialiste vuri re se qeveria e mëparshme nuk kishte bërë raportime të sakta për sa u përket problemeve të mëdha ekonomike, në të cilat është zhytur vendi dhe Papandreu premtoi që gjatë mandatit të tij do t’i zgjidhte ato.
Ndër masat e qeverisë përfshihen rritjet e taksave, një mbikëqyrje më e mirë ndaj evazionit fiskal, por, megjithatë, tregjet dhe analistët nuk janë të bindur se me këto Greqia do t’ia dalë mbanë, duke kërkuar që qeveria të jetë më specifike në lidhje me reduktimet në sektorin shtetëror. Ajo çka grekët duan që të arrijnë këtë vit është reduktimi i deficitit me 4% dhe 3% të tjera gjatë dy viteve të ardhshme. Megjithatë, Kryeministri ka deklaruar se çdo reformë që do të ndërmerret, sepse bëhet fjalë për reforma që mund të zgjojnë pakënaqësinë e sindikatave, do të konsultohet më parë me njerëzit. Grekët tashmë kanë një përvojë të hidhur të viteve të fundit për sa u përket revoltave masive që sivjet dhe një vit më parë shpërthyen në të gjithë vendin.