E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në luftë kam parë... dhe nuk do harroj kurrë

Qetë, teksa duket i menduar tej fjollës së tymit të cigares, Sabri Godo u rikthehet edhe njëherë kujtimeve të luftës. Në fakt, duket një proces në të cilin është përfshirë prej disa kohësh: atë të rishkrimit të letërsisë së tij historike. E ka bërë më parë me “Skënderbeun”, pastaj me “Ali Pashën” e së fundi me romanet për Luftën çlirimtare. Vëllimi me tregime “Zëra nga burime të nxehta” i ribotuar dhe “Udhëtari” i rishkruar, që vijnë për lexuesin nga “Tirana Times”, janë një përmbyllje e kapitullit të Luftës. Godo, i tërhequr nga politika e i vendosur në pozicionin e vëzhguesit, për momentin nuk ka nisur të hedhë asnjë rresht të ri. Thotë se i duhet kjo kohë për t'u menduar. Ndërsa këto dy botime e shtyjnë në një bisedë që veç kujtimeve është e mbushur edhe me gjykime për të kaluarën.
I jeni rikthyer sërish periudhës së luftës përmes ribotimit të vëllimit me tregime “Zëra nga burime të nxehta” dhe “Udhëtari”, ky i fundit i rishkruar. Pse vendosët t'i riktheheshit sërish asaj periudhe?
Synimi im nuk ishte të shkruaja një libër për kohën e luftës duke e parë me botëkuptimin e sotëm. U mundova të tregoj të vërtetën mbi një episod i cili doemos ka elemente përgjithësues për luftën, gjëra që nuk mund t'i thosha në botimin e parë, për shkak të censurës së fortë që i vura vetes (e kisha pësuar pak më parë për shkak të disa tregimeve) por edhe të censurës shtetërore. Për këtë arsye e ndieja si një detyrim ndaj vetes, por edhe ndaj bashkëluftëtarëve të mi. Në këtë libër kam shkruar të vërtetën për aq sa mund të arrihet e vërteta, gjë që nuk është e lehtë, sepse elementi njerëzor është lëndë dhe punët me njeriun asnjëherë nuk janë të thjeshta. Duke qenë njeriu një qenie e komplikuar, asnjëherë nuk mund të thuash se arrita tek e vërteta e fundit. Kjo është letërsia, ky është problem që zgjidhet ose shkon barabartë me aftësinë e atij që shkruan, me aftësinë që ka për të vrojtuar dhe për t'i thënë gjërat.
Gjithsesi, në mes kemi fenomenin kohë. Keni arritur ta shpërfillni atë?
U mundova deri në fund të jem i ndershëm me veten. Nuk nisa të shkruaj me mendimin se si do ta gjykojnë të tjerët, por si shikonin, mendonin dhe përjetonin atëherë personazhet që lëvizin në këtë libër. Duhet të kemi parasysh se në këta mijëra të rinj që morën pjesë në luftë duke sakrifikuar shpesh edhe jetën, kishte të atillë që nuk kishin dijeni fare mbi jetën dhe gjërat, kishin jetuar në fshatra të izoluar, nuk kishin parë ndonjëherë qytete. Kur njerëzit kalojnë përnjëherë nga një gjendje primitive në një shoqëri që fillon t'i habisë me mendimet që sjell, është si të kenë kaluar në një stad tjetër të jetës. Këto kohë kam biseduar me intelektualë që kanë bërë vlerësime për librin e rishkruar, por mund të kenë disa objeksione lidhur me trajtimin e problemeve të një natyre politike ose shoqërore. Kësaj nuk kam ç't'i bëj. Ai që lexon këtë libër niset nga ajo se si i kupton gjërat sot. Ky është konflikti që unë kam pasur fillimisht me vetveten. E përsëris se nuk kam tentuar të jem në rregull me leximin sot.
Duke qenë protagonist i saj, sipas jush si e kanë përjetuar luftën njerëzit atë kohë?
Ne kemi një boshllëk të madh në fushën e letërsisë, sidomos për luftën. Lufta ka qenë një ngjarje e madhe në jetën e vendit dhe i bëri një shërbim të madh kombit, sepse Shqipëria u rreshtua në krahun e popujve që u ngritën kundër fashizmit dhe kjo i dha të drejtën kur mbaroi lufta të shpallet si shtet aleat. Ky është një shërbim i madh historik që i është bërë vendit dhe kjo nuk duhet mohuar, por njerëzit duhet të dinë si ishte kjo luftë, si është bërë ajo. Nga ky këndvështrim mund të arrihet në përfundimin se gjatë luftës filloi të gatuhej ajo që do të bëhej më pas, në mënyrë shumë të kamufluar me një teknikë të hollë që e ka burimin nga mësimet e bolshevizmit dhe që filluan të aplikohen këtu në Shqipëri të importuara nga jashtë. Që atëherë, njerëzit u përgatitën mendërisht, pa i pasur idetë e qarta, por duke e ushqyer entuziazmin e tyre se çdo gjë do të bëhet mirë, do të nisë nga e para, do të shembet krejt sistemi i vjetër, do të ndryshojnë rregullat e jetës. Pushteti komunist që do të vinte më pas, gjatë luftës përpiqej të ecte sa më mbuluar, të mos krijonte konflikte me sektet fetare, të tërhiqte shtresat e mesme, të tërhiqte njerëzit me influencë që mund të ishin edhe të shtresave të larta dhe e gjitha kjo ishte një mashtrim, sepse sikundër u pa do të vinte koha që do të laheshin hesapet deri në fund me këto kategori shoqërore. Kjo u përgatit me shumë marifet që në kohën e luftës.
Në të kundërt, do ta kishin bërë njerëzit luftën?
Nuk mund ta merrnin me mend kurrsesi. Ekzistonte mendimi se do të ishin të gjithë njëlloj, do punonin, do ndihmonin në përparim, do bëhej ç'ishte e mundur për të hapur shkolla, por askush nuk e merrte me mend se në ç'lloj regjimi do të vihej ky vend. Përndryshe them se do t'i kishim kthyer armët nga ata që po na çonin në këtë rrugë. Asnjeri nuk e besonte dot, kishin një lloj entuziazmi idealist për të bërë një gjë të mirë e të madhe që njeriut i takon ta bëjë vetëm njëherë në jetë.
A jeni dakord me qëndrimin historik që mbahet ndaj luftës sot?
Tani bëhen interpretime nga më të ndryshmet, por lufta duhet vlerësuar si një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, pavarësisht se i shërbeu një qëllimi të madh, por në të njëjtën kohë i shërbeu një qëllimi të dytë, atij që do të përmbushej kur të mbaronte kjo luftë.
Sa jeni rikthyer në përjetimet personale gjatë kësaj periudhe rishkrimi?
Unë kam qenë në moshë fare të re, 15 për 16 vjeç. Tani vonë shkova në pikën turistike të Kaloshinës në Mal të Zi. Nuk e di se si kam mundur të shkoj atëherë në këmbë, në malet në dëborë në atë lartësi prej 2000 metrash kur brigada ishte pa bukë, pa veshmbathje, pa fishekë dhe duke jetuar në rajone të prekura nga tifoja e morrit të kuq. Mua vetë më duket krejt e pabesueshme që të kem kaluar përmes Malit të Zi për të shkuar në Kaloshinë e më tej në Bosnjë. Këtë rrugë e kanë bërë të katër brigadat që përbënin divizionin e gjashtë. Përjetimet e atëhershme e bëjnë të pabesueshme sot. Do më dukej krejt e pamundur të më thoshte një njeri që ka bërë me të vërtetë një aventurë të tillë në luftë në dimrin e madh të 1944-s dhe ka dalë gjallë. Në luftë pashë gjëra që nuk do më shlyhen kurrë nga kujtesa: njerëz të vrarë, njerëz që nga tensioni i madh i luftës edhe lajthisnin, njerëz që shkumëzonin të prekur nga forma epileptike. Nuk mund të harrohet kurrë kur shoku të tërheq të plagosur, kur të jep pikën e fundit të ujit në pagure, kur të heq xhaketën e të mbulon. Kam parë të digjen fshatra, kam parë familje të jetojnë me javë nëpër shpella duku u ushqyer me lakra të egra. Mua vetë më ka qëlluar të rri tri ditë pa bukë e të kaloj në halucinacione e të shoh të fluturojnë në erë zogj të pjekur. Lufta të vë në një provë të madhe që kërkon rezistencë fizike, por mbi të gjitha shpirtërore. Këto janë vështirësitë, por në luftë krijohen shoqëri dhe miqësi të atilla që mbeten shpesh për tërë jetën, njerëzit me të cilët ke jetuar, ke ndarë të mirën dhe të keqen të bëhen në kujtimet e tua bashkudhëtarë të përjetshëm. Me ta ke jetuar ngjarjet më intensive. Lufta është një përvojë unike që mund ta kuptojë veç ai që e ka jetuar.
A e ka të qartë një djalosh 15-vjeçar që merr armën në krah se çfarë është liria?
Një djalosh 15-vjeçar është idealist për shumë gjëra. Ai e di që po bën një punë të madhe, po lufton për lirinë, por në këtë tërhiqet më shumë nga aventura, se sa nga pjekuria politike. Një djalë në moshën 15-vjeçare është shumë i rrezikshëm, por jo të gjithë njerëzit janë gatuar njëlloj. Në përgjithësi, djemtë e asaj moshe nuk e njohin rrezikun dhe atyre duhet t'u trembesh. Nëse u qëllon të plagosen, fillojnë të njohin frikën që e kanë mohuar deri sa pa pësuar gjë. Në të kundërt me të, një njeri familjar di të mendojë edhe në kohë lufte. Përvoja që një 15- vjeçar përfiton në kohën e luftës, do t'i vlente gjithë jetën, por kjo nuk do të thotë se duhet të shkojnë në luftë. Erazmusi i Roterdamit thotë se lufta është vdekja e gjithë gjërave të mira. Ajo është një nga gjërat që duhet ta heqë qafe njerëzimi, sepse është krejt tjetër gjë nga ajo që ideologjitë fashiste e propagandonin si përtëritje e energjive njerëzore. Ky është kulmi i marrëzisë njerëzore.
Letërsia historike vazhdon të mbetet një zhanër, veçse pak i lëvruar, në mjaft raste edhe i debatuar...
Romani historik është një degë shumë e zhvilluar në botë. Unë krenohem me faktin që dhashë një kontribut që kjo lloj letërsie të zërë vend edhe në Shqipëri. Këtë e bëra për dy arsye: e para sepse jam tërhequr nga këto figura të mëdha historike dhe e dyta sepse ishte mënyra më e mirë për të shkruar libra në kohën kur edhe mund ta pësoje për një frazë. E vërteta është që sot libri qarkullon shumë pak. Atëherë jeta ishte e mbyllur, por libri im “Skënderbeu” qarkulloi në 40 mijë kopje dhe u botua tri herë. Tani është shumë e vështirë që një shkrimtar të arrijë 1000 kopje. Kjo ndodh sepse u hapën dyert e vjen një letërsi e huaj e kualifikuar dhe njerëzit kanë ç'të zgjedhin, e dyta është prania e televizionit dhe e treta mungesa e kritikës. Disa thonë që duhet të ketë vepra të mira, pa të ketë kritikë, por le të ketë kritikë edhe për vepra të dobëta, të thonë që kjo vepër nuk bën për këto apo ato arsye. Kjo duhet të jetë pjesë e domosdoshme e kulturës letrare.
Disa kohë më parë jeni shprehur se keni material për të shkruar shumë gjëra. Keni nisur diçka?
Pasi rishkrova “Skënderbeun” dhe “Ali Pashë Tepelenën”, u ndjeva mirë që arrita të thosha ato që doja mbi këto figura të mëdha të kombit. Tani besoj se kam mbaruar punë edhe me letërsinë e kohës së luftës. Hë për hë po bëj një pushim mendor. Njeriu mund të ketë të depozituara në kokë kujtime që nuk do arrijë ndonjëherë t'i thotë. E rëndësishme është të zgjedhë atë që duhet të thotë e që mund t'u interesojë njerëzve. Nuk është e thënë domosdoshmërish të shkruajë.
Duket se keni bërë tërheqje të plotë nga politika...
Politika më shqetëson vetëm për atë se si ecin gjërat. Tashmë nuk jam i angazhuar, jap mendimin tim kur ma kërkojnë. Tani për tani kam pozicionin komod të vrojtuesit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›