E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Prodi: Shqipëria justifikon besimin tim për integrimin Euro-Atlantik

- Shqipëria, hapa të sigurta drejt integrimit evropian

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim kryeministrin Italian Romano Prodi dhe delegacionin që e shoqëronte.

Duke uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha rishprehu konsideratën e tij të lartë për Zotin Prodi, i cili vjen në Shqipëri si një qytetar i lartë evropian dhe mik i madh i shqiptarëve.

Më pas, të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve dhe siguruan se bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat do të thellohet dhe intensifikohet më tej në të ardhmen.

Kryeministri italian Prodi, u shpreh i lumtur  që ndodhej përsëri në Shqipëri dhe se e gjente atë të ndryshuar pozitivisht. Zoti Prodi theksoi se tashmë marrëdhëniet midis dy vendeve ndodhen në një fazë të rëndësishme të tyre, në atë të konsolidimit të projekteve të përbashkëta të zhvillimit që bazohen në  dy boshte të rëndësishme atë politik dhe ekonomik.

Kryeministri Prodi u shpreh  se gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka justifikuar besimin e tij  me përpjekjet e saj  për integrimin Euro-Atlantik.Kryeministri Prodi theksoi se Italia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Nato dhe se në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit do të bëhen të gjitha përpjekjet që Shqipëria së bashku me Kroacinë, dhe Maqedoninë të pranohen dhe të bëhen anëtarë të NATOS.

Kryeministri Prodi vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme drejt integrimit në familjen evropiane. Zoti Prodi theksoi se mbështetja e Italisë në këtë drejtim do të mbetet konstante, pasi aderimi i të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Evropës Lindore në BE, është i një rëndësie të posaçme për BE-në. Në këtë kuadër, kryeministri italian inkurajoi Kryeministrin Berisha  për reformat e ndërmarra  nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformën në sistemin gjyqësor, së cilës i shërben edhe nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunimin gjyqësor mes dy vendeve, një marrëveshje kjo jashtëzakonisht e rëndësishme e cila i vjen në ndihmë thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve .

Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, Kryeministri italian vuri në dukje se këto mundësi janë shumëfishuar kohët e fundit. Prania e bankave italiane, u shpreh zoti Prodi, do të jetë mjeti kryesor për shumëfishimin e investimeve italiane, sidomos nga ana e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Për sa i përket bashkëpunimit në sektorin energjetik, Zoti Prodi u shpreh u shpreh se mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha në interes të të dy vendeve, duke përfshirë këtu si energjinë elektrike, ashtu dhe gazin dhe produktet e tjera të së naftës.

Ndër të tjera, ne takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e emergjencave civile, për të cilin Italia ofron një nga eksperiencat më të mira në Evropë. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha falënderoi Kryeministrin italian Romano Prodi për ndihmën e çmuar që Italia ka dhënë verën e këtij viti për shuarjen e zjarreve në vend. Të dy palët ranë dakord për nënshkrimin  memorandumeve dhe marrëveshjeve që do të forcojnë bashkëpunimin në këtë drejtim.

Një vend të rëndësishëm në takim zuri edhe diskutimi për Korridorin 8, për të cilin kryeministri italian garantoi për impenjimin e qeverisë italiane për realizmin me sukses të këtij projekti madhor për rajonin, por edhe për Italinë.

Të dy kryeministrat diskutuan gjithashtu për  cështje të infrastrukturës, si dhe për ngritjen e zonave të mëdha industriale, si ajo që parashikohet të ngrihet në Koplik të Shkodrës.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu homologut të tij, Prodi mirënjohjen e qeverisë shqiptare  dhe të gjithë shqiptarëve, ndaj Italisë dhe popullit italian për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për ndërtimin  e lirisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend, duke e cilësuar  zotin Prodi si protagonistin kryesor të kësaj mbështetje të madhe.

Kryeministri Berisha u shpreh se për kombin shqiptar dhe qeverinë shqiptare dy projektet madhore të këtij shekulli mbeten integrimi në NATO dhe BE, për të cilat  kryeministri Berisha siguroi Kryeministrin italian Prodi se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo vendim, të ndërmarrë çdo reformë, si dhe të  miratojë çdo ligj që është i nevojshëm për realizimin e tyre.

Më pas, Kryeministri Berisha e njohu zotin Prodi me ndryshimet e rëndësishme të bëra në Shqipëri në këto vitet e fundit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ecurinë  e reformave të ndërmarra në ekonomi, drejtësi, arsim, shëndetësi, etj.

Kryeministri theksoi se demokracia në Shqipëri është një demokraci e re por funksionale. Këtë gjë, u shpreh kryeministri e dëshmon dhe rotacioni paqësor i pushtetit, i cili nuk ka ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat nuk diktohen nga ndryshimi i pushteteve.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka kaluar me sukses provën e zgjedhjeve lokale, si dhe zgjedhjen e Presidentit të vendit, në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit.

Gjatë takimit, kryeministri Berisha e njohu zotin Prodi me rezultatet e arritura së fundmi në betejën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, në të cilën, qeveria shqiptare është e vendosur të luftojë deri në fund me tolerancë zero. Kryeministri  Berisha u shpreh se me të njëjtën vendosmëri dhe përkushtim qeveria shqiptare është e angazhuar në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, dy prej rezultateve kryesore të së cilës janë shkurtimi i shpenzimeve operative të administratës shqiptare nga 3 % në 2,1 % të GDP, si dhe rritja e të ardhurave buxhetore nga 22 % në 27 % të GDP, pavarësisht reduktimit të ndjeshëm të taksave.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha e njohu zotin Prodi me strategjinë e ndjekur për krijimin e një klime të favorshme për investitorët e huaj, ku një vend të rëndësishëm  zënë investitorët italianë dhe investimet e tyre të çmuara në Shqipëri. Kryeministri theksoi se  qeveria shqiptare është e angazhuar në një paketë të rëndësishme masash të cilat do të lehtësojnë kushtet për investitorët, duke e bërë Shqipërinë, vendin më tërheqës për investimet e huaja.

Një vend të rëndësishëm në takim zuri diskutimi për statusin  e Kosovës, ku të dy palët ndanë të njëjtin mendim për një zgjidhje të bazuar plotësisht në planin Ahtisari dhe në bashkëpunim të plotë me BE-në. Kryeministri italian Prodi theksoi se është shumë  e rëndësishme ndërmarrja e hapave të matura dhe jo e vendimeve të nxituara, për një zgjidhje të drejtë, paqësore, e cila do ti shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Të dy palët theksuan se 10 dhjetori shënon përfundimin e afatit të Trojkës, por jo afatin për vendime të njëanshme. Kryeministri Berisha theksoi se autoritete kosovare duhet të bashkërendojnë ngushtësisht me SHBA-të dhe BE –në për çdo veprim të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›