E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Prodi

Pas takimit mes tyre dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Prodi dhanë një konferencë të përbashkët për shtypin.

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj të përshëndes Kryeministrin italian Prodi dhe qeverinë e tij për këtë vizitë kaq të rëndësishme sot, në Tiranë. Kryeministri Romano Prodi vjen sot, këtu, si një mik i madh i shqiptarëve, si një italian i madh dhe si një qytetar i lartë evropian.

Shqiptarët dhe Shqipëria i janë shumë mirënjohës Italisë dhe popullit mik italian, që ka qenë ndër më kryesorët në ndihmën dhe solidaritetin ndaj Shqipërisë, në të gjitha përpjekjet e vendit dhe kombit tim për të ndërtuar lirinë dhe demokracinë. Në momentet më të rëndësishme të zhvillimeve në Shqipëri, Kryeministri Romano Prodi ka qenë protagonist kryesor i kësaj mbështetjeje të madhe. Katër vjet më parë, ai erdhi në Shqipëri si President i Komisionit Europian, me mesazhin dhe vendimin e hapjes së negociatave midis vendit tonë dhe Bashkimit Europian për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Rrethanat në atë periudhë ishin jo të favorshme për Shqipërinë, por ajo u realizua, sepse Kryeministri Prodi ishte promotori kryesor i këtij vendimi.

Kënaqësia ime, por edhe kënaqësia e Kryeministrit Prodi, është e përbashkët që sot, pas katër vitesh, ai nuk ndjehet i zhgënjyer me vendimin që mori atëherë. Shqipëria ka dëshmuar ndryshime serioze. Gjatë këtyre katër viteve, ajo ka dëshmuar, para së gjithash, se është një demokraci e re, por që funksionon. Ajo ka realizuar rotacionin paqësor të pushtetit, i cili nuk ka pasur as ndikimin më të vogël negativ në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, sepse këto marrëdhënie nuk diktohen nga ndryshimi i pushteteve. Shqipëria ka zhvilluar zgjedhjet lokale dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Qeveria shqiptare ka luftuar me tolerancë zero krimin e organizuar. Janë çmontuar mbi 206 grupe dhe organizata të krimit të organizuar dhe janë arrestuar mbi 850 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave, në Shqipëri, Itali, Greqi dhe kudo që ata janë ndodhur. Ne jemi angazhuar në një betejë shumë të ashpër kundër korrupsionit, kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit dhe kemi marrë një seri masash të tjera ligjore. Kam kënaqësinë t’ju informoj dy nga rezultatet më kryesore të kësaj beteje: shkurtimi i shpenzimeve operative të administratës shqiptare nga 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në  2.1 për qind dhe rritja e të ardhurave buxhetore nga 22 për qind në 27 për qind të Prodhimit të Brendshëm, pavarësisht nga reduktimi dramatik i taksave.

Shqipëria ka potenciale të mëdha. Është e vërtetë që ne jemi një vend i vogël, por Shqipëria mund t’ju ofrojë investitorëve mundësi të mëdha. Ne kemi punuar me përkushtim për të krijuar një klimë miqësore për investitorët italianë dhe për investitorët në tërësi. Kam shumë nder dhe kënaqësi kur shoh sot se kompani të mëdha italiane, si “Kinglor”, “Colacem”, “Fassa”, “Cottonella” etj., - ndërkohë që sot nënshkruam Memorandumin me ENEL, - kanë vendosur flamujt e sipërmarrjeve të tyre në Shqipëri dhe punojnë me përkushtim. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për suksesin e tyre.

Zonja e zotërinj,

Duke i dhënë fjalën mikut tonë të shquar, dëshiroj të ritheksuar këtu se ndihma e popullit dhe vendit mik, Italisë, ka qenë jashtëzakonisht e çmuar për ne. Kjo ndihmë kryesisht ka qenë e adresuar në qindra e qindra projekte që kanë përfshirë të gjitha fushat, nga ajo humanitare, infrastrukturën, arsimin, bujqësinë, rendin publik, ushtrinë, kulturën, shëndetësinë, pra, nuk ka ndonjë fushë zhvillimi, ku të mos jetë ndjehet solidariteti i madh i Italisë.

Kam shumë besim se marrëveshjet që firmosëm sot me Kryeministrin Prodi përbëjnë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim. Ne kemi privilegjin e madh ta kemi Kryeministrin Prodi një avokat dhe promotor të proceseve të integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe të rajonit.  Dua të siguroj Kryeministrin Prodi se Shqipëria dhe qeveria që unë drejtoj është e vendosur të marrë çdo vendim, të ndërmarrë çdo reformë, të miratojë çdo ligj që është i nevojshëm për realizimin e dy projekteve kryesorë të këtij shekulli për kombin tim: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NA.

Kryeministri Prodi: Faleminderit Zoti Kryeministër për fjalët shumë të përzemërta dhe pritjen shumë të ngrohtë. Jam shumë i lumtur që jam sot në Shqipëri. 4 vjet mungesë janë shumë. Ne sot rifillojmë me një objektiv tërësisht ndryshe nga ai i viteve të kaluara. Nuk është më një politikë emergjence, por një politikë miqësie dhe zhvillimi të përbashkët, që bazohet në rrafshin politik dhe ekonomik.

Në rrafshin politik, procesi i afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europën ka qenë për mua një objektiv konstant që në fillim. Nuk do të ketë paqe dhe zhvillim në familjen e madhe evropiane në qoftë se të gjitha vendet e it Perëndimor dhe të Evropës Lindore nuk do të aderojnë në familjen e madhe evropiane. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Unë inkurajova sot mikun tim të madh Berisha të vazhdojë në këtë drejtim, duke vazhduar reformat, duke filluar nga ajo në sistemin gjyqësor dhe ne sot firmosën edhe marrëveshjen për bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve, të ndihmojmë një klimë politike të bashkëpunimit të brendshëm dhe të ndihmojmë sa më shumë të jetë e mundur në zgjidhjen e problemeve rajonale.

Zoti Kryeministër,

ju folët për NA-n dhe unë i njoh dhe i mirëpres aspetativat që ka Shqipëria në këtë drejtim. Italia e mbështet këtë proces dhe në Samitin e ardhshëm të NA-s në Bukuresht ne do të operojmë në mënyrë që Kroacia, Maqedonia, së bashku me Shqipërinë vërtet të pranohen dhe të bëhen anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në fushën e bashkëpunimit dypalësh mundësitë janë shumëfishuar këto kohët e fundit. Prania e  bankave italiane do të jetë mjeti kryesor për shumëfishimin e investimeve italiane, sidomos në drejtim të ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri.

Por ka edhe disa sektorë kryesor që dominojnë mbi të tjerët dhe një i tillë është ai mbi energjinë. Ne kemi interesa të përbashkëta. Shqipëria nuk mund të ketë një rritje ekonomike të jashtëzakonshme, siç e ka, 6-7 për qind, në qoftë se nuk do të sigurohet pikërisht fuqizimi i sektorit energjetik që ndihmon në zhvillimin e investimeve të tjera. Nga ana tjetër, Italia ka interesat e veta që të ketë burime sa më të ndryshme të energjisë elektrike. Edhe firmosja e Memorandumit të Mirëkuptimit të sotëm midis ENEL-it dhe Ministrisë së Ekonomisë është hapi i parë drejt realizimit të këtij projekti të përbashkët. Unë flas për politika energjetike dhe këtu kam parasysh si energjinë elektrike, ashtu edhe gazin dhe produktet e tjera të rafinerimit të naftës. Dhe nuk është vetëm për impiante prodhimi, por edhe të transmetimit të energjisë nga Shqipëria drejt Italisë, pra, gazsjellës dhe linja të interkonjeksionit të energjisë elektrike.

Unë dua t’ju garantoj për impenjimin italian për Korridorin 8-të. Ky projekt është i jetësishëm për Shqipërinë, sepse ajo duhet të bëhet porta e it. Por është e jetësishme edhe për ne, sepse Korridori i veriut është korridor italian.

Gjithashtu diskutuam shumë tema specifike të bashkëpunimit bilateral, siç ishte çështja e autorizimeve të transportit të mallrave për transportin rrugor dhe ramë dakord në parim për zgjidhjen e këtij problemi, siç edhe  diskutuam për hapjen e zonave të mëdha industriale si zona industriale në Koplik të Shkodrës, në veri të vendit.

Së fundi, folëm shumë edhe për Kosovën. Shqetësimet tona janë të përbashkëta. Unë përsërita edhe një herë pozicionin italian, pra, pikëmbërritja do të jetë pavarësia dhe kjo është e parashikuar në planin e Ahtisarit, por në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, sepse përgjegjësia për paqen në Kosovë është përgjegjësi direkte e BE-së. Është angazhimi i BE-së të mbajë 17 mijë ushtarakë për mbajtjen e paqes dhe të rendit publik në Kosovë dhe do të jetë detyrë e BE-së të sigurojë këto burime të nevojshme, në mënyrë që ky proces të bëhet të paktën me pjesëmarrjen e popullsisë. Siç i thashë Kryeministrit Berisha, Italia po bën e do të bëjë gjithçka që edhe Serbia të ketë marrëdhënie të ngushta me BE-në.

Këto ishin temat kryesore për të cilat ne bashkëbiseduam sot, në një klimë vërtet miqësore dhe optimizmi. Sot, Shqipëria është një vend krejtësisht i ndryshëm, në krahasim me shumë pak vite më parë. Këtë konstatim e bëjmë  me kënaqësi dhe të punojmë së bashku për të ardhmen.

Pyetje: Zoti Prodi, ju thatë se statusi i Kosovës është çështje që duhet të zgjidhet nga BE-ja, por deri tani nuk shohim një qëndrim unik të këtij Unioni. A e bën  pak konfuze të ardhmen e Kosovës dhe për atë çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 10 dhjetorit?Mendoni se deri atëherë BE-ja do të ketë arritur në një zgjidhje, apo si e shikoni zgjidhjen e statusit të Kosovës pas 10 dhjetorit?

Kryeministri Prodi: Pyetja është vërtet e goditur, sepse vë në pah vështirësitë që ne hasim sot për të arritur në një pozicion unik për këtë çështje kaq të madhe. Por në këto javë kemi punuar mjaft dhe ekzistojnë premisa për të pasur një qëndrim konvergjent, unik në këtë drejtim. Dhe kur flas për nevojën për të mos marrë vendime të nxituara, e bëj sepse ky proces konvergjence kërkon akoma më tepër kohë për t’u realizuar. Ky veprim do të shkatërrohet në mënyrë të pandreqshme në qoftë se do të kishte vendime të nxituara në 10 dhjetor. Prandaj ju e kuptoni përse bëj një apel kaq të fortë për Shqipërinë, sepse askush më mirë se ju nuk mund ta kuptojë rëndësinë, seriozitetin dhe kompleksitetin e kësaj çështjeje.    

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord me Kryeministrin Prodi se 10 dhjetori përbën datën e skadimit të mandatit të Trojkës, e cila do t’i dorëzojë raportin  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe më pas Këshillit të Sigurimit dhe vendeve anëtare. Pra, nëse kjo datë ka një përcaktim të qartë për mandatin e Trojkës, kjo datë nuk është një datë për veprime të njëanshme. Unë kam besim se udhëheqja politike e Kosovës ka të njëjtin mendim. Është e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe ka një bashkëpunim intensiv, negociata dhe diskutime me institucionet ndërkombëtare, pasi janë disa çështje, simbolet e disa të tjera që duhet të zgjidhen. Mendoj se data 10 dhjetor nuk ka qenë kurrë një vendim i Grupit të Unitetit, por më shumë është mediatizuar.

Pyetje: Zoti Prodi, marrëveshja që u nënshkrua mes ENEL-it dhe Shqipërisë, mos përbën një shpërqendrim të prodhimit nga Italia në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes për reduktimin e prodhimit të C2O?

Kryeministri Prodi: Kjo nuk ka të bëjë aspak me vendimet që kemi marrë sot. Politika energjetike italiane drejt energjisë së rinovueshme është e përcaktuar dhe ne po punojmë për detajet. Jam angazhuar para dy komisionerëve të Komisionit Europian për të arritur objektiva të përbashkëta. Do t’ia arrijmë, megjithëse pika e nisjes, siç e thatë edhe ju, është paksa e komplikuar. Marrëdhënia me Shqipërinë  është i një aspekti të ndryshëm, ajo përsa i përket emergjencës energjetike. Në çdo rast, Italia do të jetë një importues i madh i energjisë elektrike, cilado qofshin zhvillimet e saj.

Kryeministri Berisha: Prej një viti qeveria që unë drejtoj po bën gjithçka për të diversifikuar prodhimin e energjisë në Shqipëri, pasi ky prodhim në vendin tonë është i gjithi hidrik. Por ne nuk mund të varemi nga burimet hidrike. ENEL ka sjellë projektin më të mirë, prandaj ne firmosëm sot Memorandumin. Qëndrimi i qeverisë sime është diversifikimi dhe balancimi i prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Pyetje: Zoti Prodi kur flisni për Samitin e Bukureshtit, shpresoni që Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim dhe kjo ftesë do të vijë në mënyrë individuale, apo në grup me Kroacinë dhe Maqedoninë?

Kryeministri Prodi: Orientimi i NA-s i përket të tre vendeve, Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky është orientimi kryesor dhe ne duhet të operojmë që të tre këto vende të jenë të pranishme të Bukuresht.

Pyetje: Zoti Berisha, marrëveshja e sotme e ekstradimeve i jep përfundimisht zgjidhje problemit të ekstradimeve me shtetin fqinj, Italinë?

Kryeministri Berisha:  Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të luftuar së bashku krimin e organizuar. Unë i kërkova Kryeministrit Prodi t’i transmetojë kolegëve të tij të tjerë europianë dhe në NA se Shqipëria është e gatshme të firmosë marrëveshje të tillë me të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe NA-s.

Pyetje: Presidenti Prodi si e gjykoni votimet e djeshme në Rusi, ku OSBE-ja i ka konsideruar nën standardet demokratike? E njëjta pyetje edhe për kryeministrin Berisha.

Kryeministri Prodi: Në këtë fazë, përgjigjja direkte që mund të jepet është se nuk kemi ende asnjë të dhënë konkrete dhe e vetmja gjë është një rezultat elektoral i fortë dhe i qartë. Eshtë në interesin e të gjithëve, duke filluar nga autoritetet ruse që të qartësojnë dhe qetësojnë opinionin ndërkombëtar për këto probleme dhe pyetje të ngritura nga OSBE-ja.       

Kryeministri Berisha: Fakti që Rusia kufizoi numrin e vëzhguesve nuk është tregues i mirë, nga 470 në 70. Natyrisht vlerësimi i grupeve ndërkombëtare që ndodhen aty do të jetë shumë i rëndësishëm dhe ky vlerësim bëhet pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet ligjore, paditë dhe çështjet e tjera ligjore që ngrihen nga pjesëmarrësit në zgjedhje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›