E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Prodi: Ndiej kënaqësi nga zhvillimet pozitive në Shqipëri

Kryeministri Berisha organizoi sot një drekë për nder të Kryeministrit të Republikës së Italisë, z. Romano Prodi në ambientet e Pallatit të Brigadave.

Në këtë takim ishin të pranishëm, Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, ministra të qeverisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, përfaqësues të partive politike të pozitës dhe opozitës.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën  dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të Italisë për vendosjen e lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.            

Ndihma italiane ka qenë shumë e rëndësishme, u shpreh Kryeministri Berisha,  por dua të theksoj  se qëndrimi Juaj europian ka qenë vërtet një shans i madh për perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Berisha theksoi se në takimin që ka zhvilluar më parë me Kryeministrin Prodi, ka gjetur bashkëpunimin e plotë të këtij të fundit, ndërsa ka kujtuar deklaratat e Kryeministrit të Italisë, i cili u shpreh se popullsia e Ballkanit Perëndimor përbën vetëm 1 për qind të popullsisë së Bashkimit Europian.   

Duke shprehur mirënjohjen për politikën e dyerve të hapura që po ndjek Bashkimi Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vijuar me reformat  me qëllim që të meritojë anëtarësimin në NATO dhe BE. 

“Ne ju sigurojmë se do të vazhdohet me reformat dhe do të bëjmë çdo përpjekje në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet me dinjitet në NATO dhe në Bashkimin Europian”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri ftoi të gjithë pjesëmarrësit të ngrenë një dolli për Kryeministrin e Italisë, z. Romano Prodi, Familjen e Tij, shtetin dhe kombin italian.

Nga ana e tij, Kryeministri i Italisë, Romano Prodi shprehu kënaqësinë për ndryshimet pozitive që ka bërë Shqipëria  gjatë viteve të fundit.    

“Për mua të shoh ndryshimet që ka bërë Shqipëria në këto vite përbëjnë një element  kënaqësie. Në këtë sens bashkëpunimi që keni manifestuar, dëshira dhe përpjekjet për vendosjen e  paqes në rajon kanë qenë një ndihmë e madhe për të gjithë politikën europiane”, deklaroi Kryeministri i Republikës së Italisë. 

 Kryeministri Prodi theksoi se zhvillimet në Shqipëri po ecin në drejtimin e duhur, duke e veçuar këtë edhe si një moment kënaqësie personale.    

“Unë ndihem shumë i lumtur që jam këtu dhe shoh që gjërat po ecin në drejtimin e duhur,  gjë e cila  për mua  përbën edhe një moment kënaqësie personale”, u shpreh Kryeministri Prodi.

Mund t`ju siguroj, vijoi më tej Kryeministri Prodi, se duhet të vazhdoni me këto reforma, në fund  të së cilave janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Gjithashtu Kryeministri i Republikës së Italisë vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si mjaft të mira, duke nënvizuar se ato kanë si destinacion anëtarësimin në BE dhe NATO.   

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›