Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e 95 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare
Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri i Italisë Romani Prodi, morën pjesë, sot pasdite, në çeljen e ceremonisë, me rastin e 95 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare, zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjen. Luan Hoxha, përfaqësues të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë, Atashe ushtarakë, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar Kryeministër i Italisë mike, zoti Romano Prodi,
E nderuar Kryetare e Parlamentit,
Zotërinj ministra, shkëlqesi ambasadorë dhe atashe ushtarak të vendeve mike,
Të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s dhe të Kartës Adriatik 3 që keni ardhur për të na nderuar në këtë festë,
Të dashur ushtarë, oficerë, nën/oficerë dhe gjeneralë,
I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA
Është një nder i veçantë për mua t’ju përshëndes ju sot, familjet tuaja, në këtë ditë të madhe për ju, për familjet tuaja, për kombin shqiptar dhe Shqipërinë.
Gëzuar 95 vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura, suksese gjithnjë e më të mëdha.
Forcat tona të Armatosura u themeluan në flakët e kryengritjeve të mëdha që bënë Shqipërinë të pavarur. Në krye të tyre u vendosën ushtarakët më të shkëlqyer, që udhëhoqën kryengritjen pothuajse gjatë një shekulli. Ata qëndruan në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë. Në Luftën e dytë Botërore, oficerët dhe ushtarët e tyre morën malet, organizuan një luftë me të cilën e renditën Shqipërinë në anën e fitimtarëve. Gjatë diktaturës ata patën të njëjtin fat me popullin e tyre, në Shqipërinë bunker. Forcat tona të Armatosura përjetuan një strategji paranojake.
Por menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, ato ishin një ndër institucionet që u angazhuan me disiplinë të madhe, me përkushtim në një proces reformimi. Sot, ju, nga ushtria më e izoluar e Europës, parakaloni nesër së bashku me përfaqësuesit dhe flamujt e 9 vendeve mike, ushtrive të shkëlqyera të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës, Turqisë, Greqisë, Kroacisë, Maqedonisë. Kjo është meritë e juaja e jashtëzakonshme. Nga ushtria më e izoluar e Europës, sot ju keni vëllezërit dhe motrat tuaja në të katër anët. Aty ku është NATO janë përfaqësuesit tuaj, në Bosnje, Afganistan, Irak dhe ato do të shpalosen kudo ku Aleanca e Atlantikut të Veriut të ketë nevojë.
Duke ju sjellë urimet më të përzemërta në këtë ditë, unë dua t’ju siguroj se qeveria është e vendosur të mbështesë fuqishëm të gjitha përpjekjet tuaja për të përmbushur me dinjitet dhe nder detyrën tuaj të madhe. Në sajë të reformave që keni ndërmarrë, ju jeni shndërruar në një nga faktorët më të rëndësishëm të integrimit të Shqipërisë në NATO, në një nga faktorët më përcaktues të ftesës që ne presim të marrim në samitin e Bukureshtit, për anëtarësim në NATO.
Edhe një herë, urimet më të përzemërta në këtë ditë për ju, vëllezërit dhe motrat tuaja në Afganistan, në Irak, në Bosnje, kudo që ndodhen, për familjet tuaja, për mbarë shqiptarëve.
Gëzuar festën”