Zëvendësdrejtori i FMN-së konstaton sukseset ekonomike të qeverisë shqiptare
- Qeveria meriton vlerësim shumë pozitiv për treguesit makroekonomike, mbajtjen nën kontroll të inflacionit, rritjen e kreditimit dhe rritjen e investimeve të huaja direkte.
Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar Murilo Portugal ka vlerësuar, gjatë takimit sot pasdite me Kryeministrin, punën e qeverisë Berisha dhe suksesin reformave ekonomike. Z. Portugal, i cili viziton për herë të parë vendin tonë, tha se ndodhej në Shqipëri pikërisht për të parë zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare. "Ne vlerësojmë performancën e ekonomisë shqiptare dhe unë jam sot këtu të shoh me sytë e mi eksperiencën pozitive të Shqipërisë. Të gjitha këto janë meritë e qeverisë shqiptare, sepse ka qenë ajo, që ka ndërmarrë këto reforma ekonomike", tha z. Portugal.
Duke shprehur vlerësimin maksimal për punën e qeverisë dhe bashkëpunimin tepër të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së, Zëvendësdrejtori i FMN-së vlerësoi se situata makroekonomike e vendit është e sigurt, inflacioni nën kontroll, kreditimi është rritur dhe investimet e huaja direkte gjithashtu. Këto tregues, tha z.Portugal, janë të rëndësishëm për të pritur rezultate të larta në të ardhmen.
Kryeministri Berisha falënderoi ekipin e FMN-së për ndihmën që i ka dhënë në vazhdimësi vendit tonë dhe vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin gjatë kësaj qeverisjeje, bashkëpunim i cili është karakterizuar nga shpirti negociues dhe i hapur.
Duke u ndalur në situatën makroekonomike të vendit, Kryeministri Berisha u shpreh se synimi kryesor i qeverisë është shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon. Në këtë kuadër, qeveria ka ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme, ndër të cilat veçoi si më të rëndësishmet luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe informalitetit. Duke nënvizuar rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar, Kryeministri Berisha e njohu zyrtarin e lartë të FMN-së me faktin e rëndësishëm se të gjithë krerët e grupeve kriminale dhe anëtarët e bandave tashmë janë duke u përballur me ligjin. "Lufta e pamëshirshme ndaj krimit të organizuar do të vazhdojë me tolerancë zero dhe me vullnetin më të lartë. Kjo e ka bërë Shqipërinë një vend të qetë dhe të sigurt, ndaj ne jemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë", tha Kryeministri.
Gjithashtu z. Berisha bëri një përshkrim të performancës së organeve tatimore dhe autoritetit doganor. Tashmë, vijoi Kryeministri, ne jemi ndalur në mënyrë të veçantë tek lufta ndaj informalitetit, si një domosdoshmëri për stabilitetin ekonomik të vendit. "Informaliteti ka qenë shndërruar në sistem, por nismat e ndërmarra nga qeveria synojnë futjen e vendit dhe ekonomisë drejt formalizmit të plotë", u shpreh Kryeministri. Në këtë kuadër z. Berisha përmendi nismat e ndërmarra nga qeveria, të cilat do të pasurohen më tej, duke krijuar një paketë të gjerë masash ligjore për të zhdukur informalitetin.
Z. Berisha dhe z. Portugal ndanë pikëpamje të njëjta për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm edhe në të ardhmen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.