E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përshëndet çeljen e ekspozitës me temë "Jehona kosovare"

Sot pasdite, Kryeministri Berisha përshëndeti çeljen, në Tiranë, të ekspozitës së një grupi piktorësh të mirënjohur me origjinë kosovare, me temë "Jehona kosovare". Në këtë ekspozitë, të organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, paraqiteshin piktura të artistëve të shquar Abdurahim Buza, Qamil Grezda, Agim Zajmi, Kujtim Buza, Bujar Zajmi, Ermir Grezda, Arben Morina, Anila Zajmi dhe Sokol Buza.

Kryeministri Berisha vlerësoi punën e shkëlqyer të piktorëve të mirënjohur, duke theksuar se vepra e tyre është një trashëgimi e madhe në artin pamor kombëtar.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

"Dua të përshëndes piktorët e shquar Zajmi, Grezda, Buza, e Morina, të përshëndes të gjithë të pranishmit, si dhe dua të shpreh kënaqësinë time që na jepet mundësia të shohim sot, të ekspozuara këtu, vepra të artistëve që janë shënuar në historinë e artit pamor shqiptar si artistë të shkëlqyer, të cilët zhvilluan në zhanrin e pikturës krijimtari të mëdha që do të mbeten një trashëgimi e madhe në artin tonë pamor kombëtar.

Këta artistë të mirënjohur kanë trajtuar në këto vepra, më shumë se çdo gjë tjetër temën e dhimbjes së tyre të madhe shpirtërore, temën e Kosovës. Ishte kjo temë që u bë frymëzim i madh për ta dhe bëri që Abdurahim Buza, me pikturat dhe krijimet e tij, të renditet me kolosët më të mëdhenj, jo vetëm shqiptar por edhe me gjerë. Po kështu Zajmi, Grezda dhe Morina.

Krahas kënaqësisë që ndjejmë sot kur ndjekim një koleksion që vështirë se do të mund ta shihnim në një kohë kaq të shkurtër, ne kemi kënaqësi se shohim në këtë ekspozitë gjenerata të artit pamor shqiptar, me origjinë nga Kosova dhe zhanret e tyre të ndryshme në pikturë".

Ndërsa artistët e pranishëm në këtë veprimtari, theksuan se kjo ekspozitë vjen në prag të ngjarjes më të rëndësishme për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar, përcaktimin e statusit të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e paqes dhe bashkëjetesës në rrugën e të ardhmes europiane të saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›