E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Qeveria do beje me te miren per eficencen dhe transparencen e fondeve

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, i cili bëri një prezantim rreth “Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik”.

Duke vlerësuar se Auditi i Brendshëm është një partner shumë i rëndësishëm për një institucion, ai u shpreh se Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik ka tri qasje kryesore: e para ka të bëjë me përgjegjshmërinë menaxheriale, e dyta ka të bëjë me Auditin e Brendshëm, e treta ka të bëjë me njësinë qendrore të harmonizimit.

Pas prezantimit, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Robert Gielisse për ekspozenë unike dhe për faktin që u prek një nga çështjet më të rëndësishme të administratës.

Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për t’u konsoliduar. "Ne jemi optimist se duke punuar së bashku me ju, duke patur ndihmën tuaj, do të konsolidojmë këtë mjet kyç të administratës”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu edhe Ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se implementimi i procesit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në administratën shqiptare është në progres, janë miratuar të gjitha hallkat dhe janë ngritur strukturat. Ministri Bode shtoi se Auditi i Brendshëm në vendin tonë është audit me status të nëpunësit civil.

Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, zoti Gielisse, ka qenë i përfshirë dhe ka asistuar në reformën ligjore dhe institucionale financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›