Kryeministri: Rritja e dritave, normale
Kryeministri njohu dje anëtarët e qeverisë për vendimin e ERE-s, sipas së cilës nga 1 janari 2010, do të kemi rritje me 13 për qind të çmimit të dritave. Sipas Berishës, vendimi i ERE-s ishte normal dhe i ulët për një pjesë të konsumatorëve. "Kjo rritje është mjaft më e ulët për 300 kilovatët e parë dhe shkon duke u rritur për konsumet përtej këtyre 300 kilovatëve, të cilat në tërësi janë familje me të ardhura mbi mesataren ose mesatare", theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, do të ndahet fondi prej 22 milionë dollarësh, i cili do të përdoret për skemën e mbulimit të rritjes së çmimit për shtresat në nevojë. "Është jashtëzakonisht e rëndësishme që skema e mbulimit të rritjes për shtresat në nevojë të jetë operative që më 1 janar, pasi janë mbi 70% e konsumatorëve të cilët bien në konsumimin deri në 300 kilovatë", tha Kryeministri.