E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEC-i i Porto Romanos, "Enel"-it i skadon afati

Qeveria shqiptare miratoi një leje tjetër për ndërtimin dhe shfrytëzimin e një linje të interkonjeksionit energjetik Shqipëri-Itali për llogari të kompanisë italiane "Enel", pasi një leje e ngjashme e miratuar një vit më parë, i skadoi afati. "Enel Produzione" ka regjistruar në Shqipëri një filial me kapital fillestar të konsiderueshëm dhe ka në plan të ndërtojë një termocentral qymyri në zonën e Porto Romanos. Për ta ndërtuar këtë termocentral, ka nevojë për një linjë interkonjeksioni me Italinë ku do të eksportohet një pjesë e energjisë së prodhuar. Qeveria shqiptare i pati dhënë fillimisht lejen ENEL-it në tetor të vitit 2008, por kjo leje sanksiononte se punimet e ndërtimit duhej të fillonin brenda 12 muajve. Afati kaloi dhe punimet nuk filluan. Për këtë arsye, qeveria miratoi dje shfuqizimin e lejes së mëparshme dhe miratimin e një lejeje të re. Afati i ri për fillimin e punimeve nuk është publikuar ende.

Qeveria shqiptare ka dhënë deri tani gjashtë leje për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë dhe në disa raste i ka prezantuar këto leje si investime të stërmëdha. Por për asnjë nga këto linja nuk kanë filluar punime konkrete. Në rast se realizohet një linjë e tillë, koncesionmarrësi do të ketë detyrimin të vendosë në dispozicion të Operatorit të Sistemit të Transmetimit 20 për qind të kapacitetit të linjës pa pagesë, ose t‘i japë OST-së 20 për qind të fitimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›