E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha: “Zhvillimi pa plan e shkatërroi kryeqytetin”

20-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë konferencës Ndërkombëtare mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën, se në dekadën e fundit, kryeqyteti shqiptar, i cili ka një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm, është përballur, në vend të urbanizmit, me betonizimin, i cili gëlltiste hapësirat për qytetarët. Berisha shprehu vlerësimin për organizimin e kësaj konference me një nga temat më të rëndësishme të kohëve të sotme, urbanizimin.
Ai theksoi se në 20 vjet, Shqipëria arriti nga 35 për qind popullsi urbane, në pothuajse 54 për qind, duke nënvizuar se kalimi nga komb rural në komb urban është deri tani një nga arritjet më të mëdha historike të vendit, një proces ky me sfida të mëdha, por që i sjell vendit fluksin më të fuqishëm të energjisë së zhvillimit. “Fatkeqësisht, më duhet të theksoj se kryeqyteti, që ka një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm, është përballur në dekadën e fundit, në vend të urbanizmit, me betonizimin, i cili padyshim gëlltiste hapësirat për qytetarët. Prandaj Tirana ka nevojë dhe është jetësore për kryeqytetin, një koncept i ri urban. Duhet ta bëjmë një qytet të përmasave të qytetarit. Procesi i betonizimit ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për qytetarët e Tiranës: si trafik të rënduar, ndotje të madhe, zhdukjen e hapësirave të gjelbra. Uroj dhe shpresoj që kjo konferencë të hedhë dritë dhe të japë drejtimin e duhur mbi të gjitha këto aspekte”, u shpreh Berisha.
Duke sjellë në vëmendje të dhënat e Censusit të fundi të realizuar në vend, Kryeministri tha se ky proces tregon se shqiptarët, nga viti 2001 në vitin 2011, kanë ndërtuar banesa më shumë se çdo vend tjetër evropian, në 30 vitet e fundit.
“Ky census tregon se Shqipëria, një vend i cili në vitin 2001 kishte treguesit më të ulët se çdo vend tjetër evropian në vitet 80-të,  për sa i përket strehimit për frymë, në vitin 2011 la pas 5 nga vendet e anëtare të BE-së, ose 5 vende anëtare të OECD-së. Shqiptarët tashmë zotërojnë 383 banesa për 1000 banorë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se për Shqipërinë është shumë jetësor një koncept i ri urban dhe shikohet me shumë interes nga të gjithë vazhdimi i urbanizimit të të gjithë zonave, të cilat duhet të mbajnë në dimensionin e tyre qytetarin, interesat e tij, jetën e tij. Kryeministri vuri në dukje faktin se “Prandaj Tirana ka nevojë për një koncept të ri urban dhe duhet ta bëjmë atë një qytet të përmasave të qytetarit. Procesi i betonizimit ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për qytetarët e Tiranës: si trafik të rënduar, ndotje të madhe, zhdukjen e hapësirave të gjelbra, ndaj uroj dhe shpresoj që kjo konferencë të hedhë dritë dhe të japë drejtimin e duhur për zgjidhje mbi të gjitha këto aspekte”, tha kryeministri.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›