Kryeministri Sali Berisha, bën bilancin e punës së qeverisë, përballë shpifjeve dhe shtrembërimeve të opozitës
Kreu i qeverisë Sali Berisha, në vijim të fjalës së tij në kuvend gjatë mocionit-debat të kërkuar nga opozita, u kushtoi rëndësi të veçantë, reformave që janë realizuar në tre vitet e fundit dhe ndryshimet që i sollën vendit.
Kryeministri vlerësoi se ishin reformat ato që ndezën me shpejtësi motorët e investimeve të huaja në Shqipëri, duke e ndryshuar atë.
Sipas kryeministrit, vetëm në sektorin bankar dhe telekomunikacion janë investuar 500 milion euro, ndërsa në sektorin energjetik janë investuar mbi 400 milion euro, duke shtuar se me një histori reformash të reja për garantimin e investimeve të tyre, Shqipëria do të bëhet “Everest” i garantimit për investitorët vendas dhe të huaj. Kryeministri Berisha vuri në dukje se Shqipëria për lehtësirat e regjistrimit të biznesit la mbrapa 114 vende të botës.
“Gjatë vitit 2007 u krijua qendra për regjistrimin e biznesit “One stop shop”, e cila shkurtoi kohën e regjistrimit nga 42 ditë në disa minuta dhe uli koston nga disa mijëra euro në një euro”, tha Berisha, duke shtuar se vitin që vjen Shqipëria do të jetë vendi i regjistrimit on-line të bizneseve në të gjithë vendin.
“Tashmë janë hequr rreth 123 leje dhe liçensa dhe ka nisur puna për krijimin e një “One stop shop”-i për lejet dhe licencat”, theksoi Berisha.
Më tej, Berisha tha se në studimin “Si të bësh biznes” në 22 qytete në 7 vende të rajonit, Shkodra dhe Vlora i bënë nder Shqipërisë për praktikat e regjistrimit të biznesit, duke u renditur krahas vendeve të zhvilluara të botës si Islanda apo Kanadaja. Tirana me vështirësitë dhe korrupsionin e bashkisë renditet e 18 në rajon, duke shtyrë mbrapa të gjithë vendin në këtë praktikë”, tha Berisha, ndërsa i thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës të largojë praktikat korruptive ndaj biznesit. Duke u ndalur në ligjin “Për urbanistikën”, kryeministri theksoi se Shqipëria do të vendosë standarde për praktikat e lejeve të ndërtimit, në mënyrë që të hiqet taksa e ryshfetit prej 15 për qind.
“Shqipëria do të arrijë të renditet në 10 vendet më të mira në botë për sa i përket kohës dhe kostos së regjistrimit”, deklaroi Berisha
Sukseset antikorrupsion, mbi reformat dhe vullnetin e hekurt
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi gjatë seancës së mbrëmshme parlamentare se reformat e thella e të gjithanshme, të cila qeveria i ka iniciuar tashmë prej më shumë se 3 vitesh, janë suksesi i luftës antikorrupsion.
“Rezultatet e publikuara në raportin e Transparency International (TI) dëshmojnë se platforma e qeverisë ‘me duar të pastra’ është e duhura për këtë vend dhe vullneti ynë për zbatimin e saj është i plotë. TI e cilëson qeverinë shqiptare kampione në luftën kundër korrupsionit, e cila u arrit përmes reformave të thella dhe vullnetit të hekurt”, deklaroi Berisha, gjatë mocion-debatit në kuvend, kërkuar nga opozita e majtë. Kreu i qeverisë, duke i qëndruar platformës antikorrupsion, nënvizoi se lufta kundër tij është çelësi i suksesit kundër të gjitha dukurive negative.
“Kjo është një betejë e gjatë, por ne do ta fitojmë, pasi synojmë ta vendosim Shqipërinë në njëzet vendet më të pastra në botë për sa i takon këtij fenomeni”, tha kryeministri.
Në kuadër të këtyre arritjeve, kryeministri Berisha vuri në dukje se sot administrata publike shqiptare është jashtë konfliktit të interesave.
“Pjesëmarrja në borde për zyrtarët është zvogëluar dhe po ashtu edhe shpenzimet operative të administratës, duke u kursyer në tre vjet (2005-2008) me miliona euro. Motos, tolerancë zero kundër korrupsionit, i përgjigjen edhe procedurat e prokurimeve elektronike, që do të zbatohen gjerësisht që nga janari i vitit 2009 ose nxjerrja nga skema e korrupsionit e provimeve të shkollës së lartë, reformimi i sistemit tatimor, etj, u shpreh kreu i qeverisë”, deklaroi Berisha më tej.
Qeveria, me një platformë të re e më të plotë për kthimin e pronave
“Grandi i buxhetit të shtetit për qeverisjen vendore në tre vitet e fundit u rrit nga 7.1 miliard në 21 miliard lekë, shifër kjo që, është trefishuar dhe po ecën drejt katërfishimit në vitin që vjen”.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh ndër të tjera në seancën plenare të Kuvendit se Shqipëria e vitit 2008 është disa herë më e decentralizuar se ajo e tre viteve më parë. Kreu i qeverisë vuri në dukje se qeveria ka vendosur një platformë të re për reformën e pronësisë të bazuar në legalizimin, kthimin dhe kompensimin e pronave. Duke i kujtuar opozitës se ka votuar kundër të gjitha ligjeve të reformës së pronësisë, kryeministri Berisha theksoi se “në këto tre vite të decentralizimit shteti ka njohur zhvillimet më të mëdha që nga viti 1992”.
Në këtë drejtim kreu i qeverisë theksoi se tashmë me pushtetin vendor është vendosur një partneritet, duke shtuar se grandi i buxhetit të shtetit për qeverisjen vendore në tre vitet e fundit u rrit nga 7.1 miliard në 21 miliard lekë, shifër kjo që, sipas tij, është trefishuar dhe po ecën drejt katërfishimit në vitin që vjen.
“Autonomia fiskale u zgjerua, qeveritë vendore mblodhën vetë tërësisht taksën e biznesit të vogël dhe një seri tarifash të tjera”, nënvizoi Berisha, duke shtuar njëkohësisht se “Rama bllokoi në parlament decentralizimin e mëtejshëm fiskal”.
Në këtë kuadër, vijoi kryeministri Berisha, në tre vitet e fundit u decentralizua tërësisht inspektorati ndërtimor, u decentralizuan fondet për arsimin dhe shëndetësinë dhe furnizimi me ujë.
“320 ndërmarrje ujësjellës dhe kanalizime u decentralizuan, rreth 700 mijë ha pyje dhe kullota kaluan në pronësi dhe administrim të qeverisjes vendore”, theksoi kreu i ekzekutivit.
Lidhur me shpërndarjen e fondeve tre vjet më parë, kryeministri Berisha i’u drejtua deputetëve të opozitës, duke shprehur se “mbi bazën e paragjykimit politik ju akordonit në një qytet 93 herë më shumë fonde për frymë se sa Shkodrës”.
...