E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI shpall revolucionin kundër Edvinit, OSBE shpreh mirëkuptim për kauzën

LSI shpalli dje nisjen e protestave kundër PS-së, me thirrjet revolucionare të komunistëve spanjollë, tipike për lëvizjet e dhunshme të së majtës. Ilir Meta e Petro Koçi i rikthehen alternativës së bojkotit e të bllokadës, duke shkaktuar panik tek qiraxhinjtë aktualë të selisë së PS-së.
OSBE: Mirëkuptojmë formulën 8-1 të KQZ-së, me një anëtar të LSI-së aty, por është Parlamenti, autoriteti që do të marrë vendim

Me thirrjen revolucionare të komunistëve spanjollë në vitin 1936 “No passaran” (Nuk do të kalojnë), Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar dje para selisë së prezencës së OSBE-së vargun e protestave kundër ndryshimeve më të fundit në Kodin Zgjedhor të cilat konsiderohen se mbytin demokracinë dhe dhunojnë votën e lirë në Shqipëri. Kjo protestë pasoi Konventën e kësaj partie, ku mbizotëroi atmosfera inatçore, ndaj pabesisë së PS-së dhe kreut të saj Edi Rama.

Konventa
Në fjalimin e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë mjaft i ashpër me PS-në dhe kreun e saj Edi Rama, për pabesinë me anëtarin e KQZ-së, të cilit i përkiste kësaj partie, por që Kodi i ri Zgjedhor, që pritet të miratohet së shpejti, ia ka hequr këtë të drejtë LSI-së. “Kryetari i Bashkisë pasi varrosi përfundimisht demokracinë e brendshme brenda partisë së tij, pa iu dridhur qerpiku dhe pa asnjë brerje ndërgjegje iu përvesh si një kasap i rëndomtë, kushtetutës dhe hapësirave publike, këndeve sportive, shesheve të fëmijëve, Parkun e Madh të Liqenit dhe ato pak parqe që kanë mbetur, për të ndërtuar mbi to ca monstra betoni m’u në mes të mushkërive të pakta që i kanë mbetur Tiranës; që shkatërron pronën private si të ishte zot i gjithëpushtetshëm; që detyrën e tij publike
e përdor për hakmarrje personale e dhunim të të drejtave të të tjerëve. Demagogjia e shitur me të madhe si një risi dhe politike e re me sloganin ‘përtej së majtës e të djathtës’ është në fakt reflektimi më i qartë i natyrës autokratike dhe totalitariste që e shoqëron në çdo veprim, pasi gjithkush në Shqipëri e di fare mirë se përtej të majtës është diktatura totalitariste që lamë pas dhe përtej të djathtës është fashizmi”, deklaroi Meta.
Në kuadër të thirrjeve të tij revolucionare Meta bëri paralelizma të panevojshme, e lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990.
“Sot vendi gjendet përballë një momenti historik të krahasueshëm për nga rëndësia me dhjetorin e vitit ‘90, kur populli shqiptar me në krye rininë studentore përmbysën një regjim totalitar, simptomat e të cilit janë ulur sot këmbëkryq mes nesh, pasi sot vendi është në udhëkryq!”, u shpreh midis të tjerave Ilir Meta. Termat më të ashpër të fjalimeve si dhe irritimi i pjesëmarrësve në konventën e LSI-së ka qenë ndaj Edi Ramës dhe sjelljeve të saj politike, e cila akuzohet se duke shfrytëzuar monopolin e të qenit partia më e madhe në opozitë po synon të pastrojë terrenin politik nga kundërshtarët brenda gardhit të së majtës, në mënyrë që ç’mund të merret nga zgjedhjet e 2009-s, të jenë të gjithë ylberistë të oborrit të tij, kuptohet në dëm të alternativave të tjera konkurrente, si LSI-ja apo PS’91.

Protesta
Pas Konventës, turmat e pjesëmarrëse të LSI-së, u drejtuan para dyerve të OSBE-së, në Tiranë, ku edhe protestuan me pretendimin se anëtarët e LSI-së po përjashtohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por sikurse rrodhën ngjarjet, kjo protestë u zhvlerësua, nga dalja e papritur para turmave e kreut të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. Duke shprehur mendimin e tij, se ai është partizan i komisioneve zgjedhore 8+1, Bosch, ai rikonfirmoi respektin ndaj vendimeve të Parlamentit. “Shqipëria ka një Parlament dhe kur Parlamenti merr një vendim në mënyrë demokratike, atëherë OSBE nuk mund të protestojë kundër asgjëje”. Këto ishin komentet e kreut të OSBE-së Robert Bosch, që ai i bëri përpara anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e ulur “vrullin” e protestuesve. “Unë e di që turmat kanë gjithmonë të drejtë, por në këtë rast jo”, tha Ambasadori Bosch, duke certifikuar mosaprovimin e tij, për këtë zgjidhje “revolucionare”, të anëtarëve e simpatizantëve të LSI-së.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›