E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha inauguron fillimin e Rrugës Levan-Tepelenë

Opozita e bllofeve, me asgjë s’mund të përçajë shqiptarët

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve për rrugën Levan – Tepelenë, një aks i rëndësishëm i korridorit të Jugut. Në prerjen e shiritit, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm për zonën, por për të gjithë Shqipërinë.

“Erdha sot këtu, të ndaj me ju gëzimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge, e cila do të lidhë Levanin me Tepelenën, Jugun me Portin e madh të Vlorës, rrugën e cila do të shndërrojë këtë zonë, në njërën prej rrugëve më të urbanizuara të vendit. Ky është një segment i rëndësishëm, me një vlerë prej 70 milion eurosh, me një gjatësi prej 70 km, i standardeve më të mira ndërkombëtare. ne jemi përqendruar, më shumë se kurrë ndonjëherë, në ndërtimin e rrugëve. Ne nuk ndërtojmë vetëm rrugët kombëtare. Ne po ndërtojmë me mijëra kilometra rrugë rurale. Unë jam këtu, për t’u dhënë fjalën shqiptarëve, se brenda mandatit të dytë, Shqipëria në asfalt, do të jetë projekti ynë më i madh, projekti ynë më i madh infrastrukturor, i të gjitha kohërave”, u shpreh kryeministri.

Segmenti rrugor Levan - Tepelenë është pjesë e korridorit Veri - Jug. Ai është i gjatë rreth 70 kilometra dhe arrin një vlere prej 70 milionë eurosh. Punimet për ndërtimin tij do të zgjasin 30 muaj dhe do të përfshijnë ndërtimin e 50 urave e të 48 veprave të vogla arti. Dhe duke folur për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në vend, kreu i qeverise u ndal tek vepra më madhore e rrjetit rrugor, autostrada Durrës – Kukës, ku foli për rëndësinë e saj dhe komentoi deklaratat e opozitës mbi këtë vepër.

“Po dëgjoja opozitën tek akuzonte në Vlorë, se ne po diskriminojmë zona dhe me këtë kryetari i opozitës akuzonte në mënyrën më antikombëtare për aksin e shqiptarëve, rrugën Durrës – Morinë. Unë dua t’i them opozitës, e cila në një rast shpall se shqiptarët i vodhën orën Xhorxh Bushit, në rastin tjetër deklaron se shqiptarët nuk do të marrin ftesën për në NATO , në një rast tjetër shpall të vdekurin në aksident si të ekzekutuar nga qeveria, apo në rastin tjetër krijon blofin se ujërat e Korfuzit iu dhanë Greqisë, e të tjera raste të tilla, pra, dua t’i them opozitës së blofeve se me asgjë nuk mund t’i përçajë shqiptarët. Ky korridor do të bëjë që prodhimet tuaja, të Frakullës, të Novoselës , të Levanit, të Fierit, të Myzeqesë, të kenë një treg të hapur dhe shumë të mirë. Ky korridor gjithashtu,u jep fund disa ndarjeve natyrore të kombit dhe e bën kombin të ndihet pranë e pranë”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha. 

Kryeministri premtoi gjithashtu se në mandatin e dytë të kësaj qeverie do të ndërtohen rrugë të reja, duke thënë se infrastruktura rrugore do të jetë prioriteti i katër viteve të ardhshme.

“Unë u ndala tek rrugët, sepse sërish në mandatin e dytë rrugë do të ketë. Rrugët do të jenë përparësia absolute infrastrukturore e jona. Në këtë mandat ne do të përfundojmë këtë trajektore, do të përfundojmë boshtin e Jugut. Ne do të lidhim me rrugë të re Elbasanin me Tiranën. Në këtë mandat ne do të lidhim Qafë-Plloçën me Qukësin me rrugë të re. Në këtë mandat, ne do të përfundojmë rrugën e Arbrit. Në këtë mandat, Shqipëria do të ketë rrugët më të shkurtra, më të mira , më të bukura se çdo vend tjetër.”

Në fund shefi i ekzekutivit ka përmendur disa nga arritjet e qeverisë si anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Berisha foli më tej edhe për premtime të tjera të mbajtura të kësaj qeverie, si rritja e pagave e pensioneve. Ndërsa theksoi se katër vitet e tjera të qeverisje së djathtë do të jenë ato të hapave të mëdha të integrimit evropian të vendit tonë, duke nisur që me liberalizimin e vizave. “Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e hapave të mëdha të integrimit të Shqipërisë, por viti i parë i mandatit të dytë do të jetë viti i lëvizjes suaj të lirë në mbarë Evropën, lëvizja pa viza është zotimi ynë.”

Zhvillimi i fshatit, bujqësisë dhe mbrojtja e prodhimit vendas ishin një çështje e prekur nga kryeministri në fjalën e mbajtur para banoreve të Kafarajt në Frakull të Fierit. E për të arritur këtë, kryeministri theksoi nevojën e bashkëpunimit me pushtetin vendor pa dallime partiake, çka e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Frakullës, përfaqësues i Partisë Socialiste, në bisedën që zhvilloi me shefin e qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›