Kryeministri Sali Berisha nderohet me titullin "Qytetar nderi" i Prishtinës
Sot pasdite, në Komunën e Prishtinës, u organizua ceremonia për dhënien e titullit të nderit, Kryeministrit Sali Berisha. Në këtë ceremoni kryetari i Komunës, Ismet Beqiri, mbajti një fjalim ku foli mbi jetën dhe arritjet e kryeministrit Sali Berisha, si dhe përpjekjet dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për çështjen e Kosovës.
Ai i dorëzoi kryeministrit Berisha vendimin unanim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e tij "Qytetar Nderi" dhe si simbol të këtij vendimi i dhuroi kryeministrit Berisha, çelësin e Prishtinës.
Në përshendetjen e tij me këtë rast, zoti Sali Berisha ndër të tjera tha:
"Jam shumë i prekur nga vendimi juaj për të më bërë qytetar nderi të Prishtinës. Ky është për mua një nder i jashtëzakonshëm, për të cilin do t'ju mbetem thellësisht mirënjohës, por unë jam i bindur se me vendimin tuaj unanim, duke më akorduar këtë titull të lartë nderi, ju nuk keni nderuar thjesht dhe vetëm Sali Berishën. Ky është një nderim, që ju zoti kryetar dhe ju zotërinj deputetë i keni bërë tëgjithë bashkëqytetarëve të mi, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për të mbështetur çështjen tuaj të drejtë, për të mbështetur një interes madhor jetik e kombëtar, lirinë e pavarësinë tuaj.
Unë e marr këtë titull, si një nder të madh që ju i bëni bashkëqytetarëve të mi, të cilët nga Saranda, Gjirokastra, Korça, Konispoli e deri në Vermosh, në një moment kritik për kombin, hapën dyert dhe zemrat e tyre dhe pritën qindra dhe mijëra qytetarë të Prishtinës dhe mbarë Kosovës dhe ndanë me ta dhimbjen, ndanë me ta kafshatën, ndanë me ta çështjen e tyre të madhe dhe bënë të dështojë një nga skenarët më makabër të kasapit të Ballkanit, që të nxirrte jashtë Kosovës, tragjedinë e saj.
Vendimi juaj është një nderim për ata të cilët, sapo u çlirua Kosova u kthyen këtu së bashku me ju për të festuar këtë ngjarje të madhe historike të mbarë kombit shqiptar.
Zoti kryetar, unë e marr këtë meritë sot në shenjë nderimi për të gjithë ata që së bashku me qytetarët e Kosovës në të gjitha kohërat, qëndruan për lirinë e dinjitetin kombëtar.
Unë i përkas një treve, e cila njihet me emrin Malësia e Gjakovës, Tropoja. Jam rritur e formuar me të gjitha traditat, zakonet, folkorin, si të gjithë qytetarët e atyre trevave. Krahina që unë i përkas ka qenë një dhe e pandarë në të gjitha luftrat dhe përpjekjet e shqiptarëve për identitet kombëtar. Ndaj dhe ky është një nderim i madh për përpjekjet e të gjithë qytetarëve të Tropojës.
Dua tu tregoj për një moment të vecantë gjatë luftës. UÇK-ja vendosi një bazë në shtëpinë time. Vërshuan gazetarët nga mbarë bota, duke më pyetur nëse kjo gjë ishte një angazhim. Unë kam patur vetëm një përgjigje të thjeshtë. Nuk po bëj asgje tjetër, veçse po i përmbahem kodit të familjes time.
Duke e mbyllur këtë fjalë më lejoni zoti kryetar t'ju garantoj se do të bëj cdo përpjekje për të mbajtur me nder titullin që më dhatë ju sot. Kam besim dhe bindje të madhe që ju udhëheqja politike e Kosovës dhe qytetarët e saj do ti vënë këtij vendi së shpejti kurorën e pavarësisë, kurorën europiane që Kosova e ka pritur në shekuj dhe më gjatë.
Ju faleminderit!"