Kryeministri Berisha takon Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu
Në vijim të vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri Sali Berisha është takuar me Presidentin e Kosovës, zotin Fatmir Sejdiu. Pas takimit, kryeministri Berisha dhe Presidenti i Kosovës, Sejdiu, komentuan për mediat:
Kryeministri Berisha: "Patëm një diskutim të hapur, vëllazëror, me Presidentin Sejdiu. Unë përshëndes shumë përzemërsisht progresin e madh që ka bërë Kosova, veçanërisht gjatë këtyre muajve. Udhëheqja politike e Kosovës, me gjithë ndarjen nga jeta të Presidenti Rugova në një moment tepër të rëndësishëm për popullin e Kosovës, ia doli të formulojë, të paraqesë dhe të mbrojë projektin e vizionit të Kosovës së lirë, stabël, të pavarur, para komunitetit ndërkombëtar.
Tashmë pranohet universalisht se autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar dhe dëshmojnë një vizion të qartë për vendin e tyre, për rajonin në tërësi. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet plotësisht të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetvendosje, e shprehur kjo në mënyrë të përsëritur, pra për pavarësi.
Shqipëria mbështet dhe instiston në respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në Kosovë, të shtetit ligjor, si kushtin më themelor të një shoqërie të lirë. Po shohim me shumë kënaqësi çdo ditë se këto standarde janë në rritje e konsolidim, ndaj dhe ne dëshirojmë që të mos ketë proces të zgjatur dhe bashkërisht të ecim, edhe me vendet e tjera të rajonit, drejt Europës".
Presidenti Sejdiu: "Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha, me të cilin diskutuam për shumë aspekte të bashkëpunimit tonë. Biseduam për të gjitha proceset që po ndodhin në Kosovë dhe për zhvillimet e mëtejshme. E falënderova kryeministrin për gjithë angazhim që Shqipëria ka patur dhe ka për zhvillimin e Kosovës, veçanërisht për mbështetjen e vullnetit politik të Kosoës për pavarësinë e saj. Gjithashtu, vlerësova mbështetjen e fuqishme të diplomacisë shqiptare".
Presidenti Sejdiu theksoi më tej se gjatë takimit u diskutua dhe për forcimin e komunikimit në nivel qeveritar, duke patur parasysh edhe marrëveshjet e deritanishme dypalëshe, si dhe për nevojën e thellimit te bashkëpunimit në të gjitha fushat. Duke përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Presidenti Sejdiu theksoi se ky zhvillim do të jetë një ndihmesë e madhe edhe për Kosovën.