E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha përshëndet forumin ekonomik Shqipëri-Spanjë

Sot, Kryeministri Sali Berisha përshëndeti forumin ekonomik Shqipëri-Spanjë. Kryeministri theksoi ndër të tjera:

"Dëshiroj t'ju falenderoj përzemërsisht dhe të shfrytëzoj këtë rast të shkëlqyer për të përshëndetur edhe 19 ‘ambasadorët' e tjerë spanjollë dhe t'i uroj mirëseardhjen në Shqipëri.

Pas vizitës së ministrit Moratinos dhe vendimit që qeverisë spanjolle për të hapur ambasadën e saj në Shqipëri, vizita juaj sot shënon një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet tona. Jam i nderuar dhe kam kënaqësinë të përshëndes sot forumin tuaj.

Në 3 korrik, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme, që pavarësisht vështirësive, sollën një rotacion paqësor të pushtetit, dëshmi e maturisë së shoqërisë sonë.

Që në fillim, qeveria shqiptare ka patur si prioritet të saj përmirësimin e imazhit, që ju keni patur për Shqipërinë. Prandaj ne përcaktuam si prioritetin më madhor rivendosjen e shtetit ligjor, si kushtin themelor për lirinë e qytetarëve tanë dhe garantimin e lirisë së tregut.

Një tjetër prioritet i qeverisë shqiptare ka qenë e mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale, nga më të rrezikshmit, më të pasurat dhe agresivet. Ne zbatuan tolerancën zero ndaj krimit të organizuar. Të njëjtin qendrim dhe forcë kemi treguar edhe ndaj korrupsionit. Qëllimi ynë madhor ka qenë dhe mbtetet: Shqipëria, vendi më tërheqës për investimet e huaja. Për një periudhë të shkurtër, ne vendosëm para drejtësisë klanet më të rrezikshme mafioze dhe boset e këtyre klaneve tashmë ndodhen përpara drejtësië. Ne i kemi arrestuar ata në Shqipëri dhe kudo ku ata ndodheshin. Për këtë kemi patur bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë partnere të zbatimit të ligjit. Dua t'ju garantoj se Shqipëria do të jetë vendi më i sigurtë për qytetarët e saj, investimet e huaja dhe vendet fqinj.

Qeveria është e angazhuar në mënyrë konstante në luftën kundër korrupsionit. Ne e nxorrëm qeverinë dhe administratën nga konflikti i interesave, e cila ishte ndërtuar pikërisht mbi këtë konflikt. Ne kemi inkurajuar qytetarët të marrin pjesë në përpjekjet për të luftuar këtë sëmundje. Për këtë kemi përmirësuar të gjitha procedurat, duke i bërë ato sa më transparente. Dëshiroj t'ju informoj se në disa muaj kemi rritur të ardhurat më shumë se 200 milion euro nga doganat dhe mbledhja e taksave. Po ashtu ka një ulje të perceptimit të qytetarëve për korrupsionin. Ndërkohë që para zgjedhjeve 77% e qytetarëve mendonin se qeveria ishte e korruptuar, tani ky perceptim ka rënë në 22%. Shoqëria është ndërgjegjësuar dhe pjesëmarrja e qytetarëve dhe biznesit është me të vërtetë aktive, duke e shndërruar këtë luftë në një sukses.

E ritheksoj edhe një herë se investitorët dhe investimet janë prioriteti ynë. E filluam me reforma të thella me qëllim për të eleminuar barrierat për biznesin dhe investitorët. Kemi shkurtuar kohën e regjistrimit të biznesit nga 42 në 8 ditë dhe përgjysmuan koston e tij. Javën e shkuar njoftuam uljen me 33% të çmimit të energjisë për biznesin. Ndërsa javën e ardhshme do të njoftojmë uljen me 33% të sigurimeve shoqërore, heqjen e taksave për makineritë e pajisjet e importit; po punojmë me shpejtësi për krijimin e parqeve industriale, si dhe për t'i krijuar biznesit infrastrukturën e nevojshme si furnizimin me energji, ujë, instrastrukturën rrugore etj.. Gjithashtu sistemi privat bankar ka njohur zhvillime të dukshme. Aktualisht kemi më shumë se 17 banka private në Shqipëri.

Qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të zhvilluar atë që quhet diplomacia ekonomike. Në bashkëpunim me ambasadat tona dhe institucionet e tjera në vend, ne po inkurajojmë dhe mbështesim investitorët e huaj që të investojnë në Shqipëri.

Shqipëria është një vend i vogël, por me një pozicion të favorshëm gjeografik. Ajo gjendet në cepim perëndimor të gadishullit të Ballkanit dhe është porta drejt Italisë dhe perëndimit. Për këtë hapësira e tregut këtu është më e madhe sesa vetë vendi. Shqipëria i ofron mundësi të shumta për investitimet e huaja të të gjitha llojeve, të vogla, të mesme dhe të mëdha. Muajin e kaluar nënshkruam një marrëveshje prej rreth 2 miliard dollarësh me konsorciumin ACG Power për zhvillimin e projekteve në fushën e gazit të lëngshëm. Ne ndodhemi përballë Italisë, i cili është një vend me nevoja të shumta energjitike dhe pjesa më e madhe e gazit do të eksportohet atje. Vetë Ballkani, së shpejti, do të shndërrohet në një nga rajonet më dinamike të kontinentit. Ky rajon ka lënë pas luftrat dhe konfliktet dhe kombet e tij janë të angazhuara për zhvillimin dhe përparimin e tij, për një hapësire të tregtisë së lirë nga Moldova në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa Shqipëria, muajin e ardhshëm, nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Një nga fushat ku ju mund të investoni është edhe turizmi. Brigjet e detit Jon janë më të mrekullueshmet në Evropë, janë të pashfrytëzuara dhe ne po përpiqemi të përfitojmë nga eksperiencat më të mira të vendeve të tjera.

Gjithashtu ju mund të investoni në fushën e energjisë, ku nevojat janë të mëdha. Aktualisht Shqipëri shfrytëzon vetem 30% të kapacitetit të saj hidrik për energji. Gjthashtu po negociojmë me Gazprom, si dhe po vazhdojmë negociatat me qeverinë turke me qëllim që kompanitë që janë në kërkim të burimeve të gazit në rajonin e Kaspikut t'i shtrijnë projektet e tyre edhe në Shqipëri.

Një fushën e infrastrukturës do të theksoja Korridorin 8-të, korridorin adriatiko-jonian, rrugën që do të lidhë Durrësin me Prishtinën dhe më tej me Nishin.

Shqipëria është e pasur edhe me minerale. Ne mund të jemi prodhues botëror të kromit, nikelit. Ne jemi të pasur dhe në minerale të tjera, por në këto lënde mund të kemi, me të vërtetë, nivele të larta prodhimi.

Po ashtu një tjetër fushë me interes është agrobiznesi.Çdo gjë në këtë vend është bio. Kush vendos të investojë në agrobiznes, të jetë i sigurtë se investimi do t'i kthehet me përfitime të larta.

Së fundi, ju garantoj ju dhe të gjithë investitorët e huaj se në këtë vend do të gjeni një mik, i cili do t'ju mbështesë fuqimisht në punën tuaj dhe kjo është qeveria shqiptare. Ne jemi të angazhuar t'ju mbështetur dhe inkurajojmë për të investuar dhe realizuar me sukses ëndrrën tuaj në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›