Forumi i djeshëm i medias, një torturë e padobishme
Një sentiment fosil në një shkëmb artificial. Një moral pa fabul. Flitet, diskutohet, analizohet. Por ndjesia e përgjithshme që mbizotëron mbetet e panevojshme. Forumi i Medies, i organizuar nga gazetari italian Carlo Bollino ishte një zbathje këpucësh që vjen vetëm erë e rëndë. Duke e vlerësuar këtë forum si një nga evenimentet më të parëndësishme të medies në përgjithësi, nuk na ngelet gjë tjetër veçse të qajmë me ata që të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Dhe pikërisht ky vajtim kolektiv ndodhi në forumin e organizuar nga Carlo Bollino, pronar mediesh audio-vizive dhe tutor epi-gazetarësh të ndryshëm me prirje natyrale killerazhi që gjithë karrierën e tyre gazetareske e kanë specializuar në një “character assassination”, pra në një gjuajtje e gjobitje virtuale ku i hapet gropa e varri njerëzve të politikës, biznesit dhe intelektualëve. I pranishëm ishte edhe Edisundimi, ky manovrues i tmerrshëm i edicioneve të lajmeve qendrore të dy (në tre) televizioneve me emëtim kombëtar, ka paturpësinë të citojë organizata joqeveritare spanjolle apo raporte të mbushura me të dhëna të pavërteta nga industrialistë të shpifjes. çka ishte tjetër ky forum përveçse një shaka mizore me inteligjencën e njerëzve të medies?
Një forum kaq i madh për të deklaruar një gjë pabaze, që të gjithë me pak introspektivë mbi medien, mund të nuhasin, për të parë sesi gazetaria informative po kalon një depresion plogështie. Në një këndvështrim tjetër të problemit, nuk është presioni i pushtetit që sheshon punën e gazetarit, por është gazetari vetë në krizë identiteti. Në fakt vetë organizimi i punës së gazetarit sot është pothuajse krejt industrial, d.m.th industrial sepse artikujt duhen lëshuar përditë në qarkullim, çka kërkon burime, lajme, hedhje të dhënash në tregun artificial publik që të konsumohen në gjatësinë e një dite. Ky ritëm frenetik përbën stilimin e pasarelës së lajmeve përditësore, shkakton një etje për lajm sensacional. Një i etur pi çdo gjë që i del përpara kur është në shkretëtirën e mendimeve. Siç e dimë, mendimet e gjora kërkojnë kohë dhe meditim më pas një shkrepje të matur.
Ndërkaq, industria e shtypit të dikton qëndrimin në karrige druri përballë monitorëve ku natyrisht humbet mbresa ndaj realitetit. Gjithçka është pasojë, sepse pjesa më e madhe e reporterëve duke u marrë vetëm me lajme agjencish, komunikata për shtyp apo sms partish, afërmendsh pastaj edhe zëri i tyre bëhet veçse një antenë riprodhuese, një afishe apo një fletë-rrufe soft mbi shoqërinë. Pushteti i katërt i medies ka krijuar një totalitarizëm soft, duke amplifikuar anën negative të nënshtrimit të realitetit simbas dëshirave apo interesave të ndonjë padishahu. Shumë prej këtyre botuesve të kinse medies së lirë vijnë nga sipërmarrja e ndërtimit, burimi i ekonomisë sonë kripto-kapitaliste. Këto figura biznesi janë në ndryshim cilësor nga shtypi i viteve të para pluraliste, ku kishim pronarë gazetarë, të cilët ishin më pak të kushtëzuar sesa media ndaj politikës së sotme. Fatkeqësisht, ata e orientojnë medien e mbipopulluar nga eunukë dhe jeniçerë synetesh, në pozicione mbrojtëse a shantazhuese të zyrtarëve të veçantë të shtetit apo kreut të qeverisë, sipas konjunkturës së projekteve të tyre të biznesit, duke e shndërruar krejt këtë pushtet në një llogore të sëmurë imoraliteti.
...