Kryeministri Berisha takohet me kryeministrin e Kosovës, AgimÇeku

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kosovës, z. AgimÇeku. Pas takimit të dy kryeministrat bënë këto komente për mediat:
Kryeministri Berisha: "Falënderoj përzemërsisht KryeministrinÇeku për ftesën që më bëri. Kam ardhur këtu në vizitën më të mirëpritur që kam patur në jetën time, sepse unë vij në një vend të lirë, në një Kosovë të lirë e cila ecën e sigurt drejt të ardhmes europiane qe meriton. E njoha zotinÇeku me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Qershori provohet në historinë e shqiptarëve si një muaj i bardhë, me data të mëdha dhe të rëndësishme në përpjekjen e tyre për një të ardhme europiane.
Ne diskutuam bashkërisht për intensifikimin e formave të bashkëpunimit mes dy vendeve, për të përfituar nga eksperiencat pozitive dypaleshe. ZotiÇeku më njohu me gjithë progresin dhe procesin e negociatave. E them me bindje se udhëheqja politike e Kosovës ka dëshmuar shkallë të lartë përgjegjësie, aftësi dhe vizion të qartë për vendin e tyre dhe për rajonin në tërësi. Unë kam besim të madh se me këto qëndrime, ata kanë kontribuar për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar, pavarësisë së Kosovës, si kusht përcaktues për paqen e stabilitetin në Kosovë, por edhe në vendet përreth saj, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, në Ballkan në tërësi.
ZotiÇeku më njohu me 13 kërkesat e paraqitura nga Grupi i Kontaktit, me vendosmërinë e qeverisë dhe të autoriteteve të Kosovës për të punuar me seriozitetin më të madh për zbatimin e tyre. Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Është e pandërprerë përpjekja e shqiptarëve, e udhëheqjes politike dhe e shoqërisë kosovare, për të konsoliduar standardet e demokracisë, standardet e një shoqërie të lirë.
I përshëndes përpjekjet e bëra, por dua të theksoj se marrëdhëniet dhe qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës ndaj pakicave, ndaj pakicës serbe në veçanti, kanë një rëndësi të madhe kombëtare. Këto marrëdhënie, jo vetëm përcaktojnë standardet demokratike në Kosovë, por përcaktojnë dhe kanë një ndikim shumë të madh në marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit serb, dy kombe të cilat duhet të shohin me përgjegjësi të madhe të ardhmen e tyre për të shkruar një kapitull miqesie dhe bashkëpunimi, për t'u shkëputur nga e shkuara dhe për të ecur drejt Europës.
Diskutuam me kryeministrinÇeku për bashkëpunimin në fushen e infrastrukturës. E informova zotinÇeku se këto ditë shpallen fituesit e tenderit të rrugës Qafë Morinë-Kalimash, ndërkohë që po negociohet per investime me nje kompani serioze për pjesën më të vështirë të kesaj rruge. Rruga do të bëhet. Dhe nuk do të jetë rruga e vetme. Së shpejti përfundon edhe rruga tjetër Qafë Morinë-Fierz, e parametrave shumë të mirë. Diskutuam dhe shprehem vullnetin per ndertimin edhe te rrugëve të tjera që duhet t'u afrohen Alpeve, këtyre bukurive të virgjëra të shqiptarëve, malazezëve, kosovareve, për t'i shndërruar ato në pasuri turistike për Ballkanin dhe Europën.
Edhe njëherë dua të falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore dhe të shpreh kënaqësin time për këtë progres të madh që konstatoj në Kosovë.
KryeministriÇeku: E kam pritur me shumë kënaqësi vzitën e Kryeministrit të Shqipërisë, mikut tim, mikut të Kosovës, shkëlqesisë së tij z. Sali Berisha. I uroj mirëseardhjen.
Që në fillim dua ta përgëzoj për nënshkirmin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është fryt i një angazhimi të madh, është fryt i përparimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria në të gjitha fushat. Padyshim që zoti Berisha dhe qeveria që ai drejton kanë një meritë të veçantë në arritjen e këtij nënshkrimi. Mendoj se Shqipëria e 15 qershorit është shumë më afër Bashkimit Europian sesa Shqipëria e para 3 ditëve. Kjo ngjarje është tregues i rëndësishëm i zhvillimit të vendit, është një tregues i kapërcimit të suksesshëm të tranzicionit 15 vjecar dhe është një shpërblim për punën, sakrificën dhe vullnetin e popullit shqiptar.
Gjithashtu, Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një axhendë politike dhe ajo është integrimi i të dy vendeve tona në strukturat euroatlantike. Në këtë drejtim, padyshim që do të përfitojmë nga praktikat, standardet dhe përvoja e Shqipërisë në përafrimin me këto struktura euroatlantike.
Ne diskutuam për një sërë çështjesh në kuadër të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky bashkëpunim shtrihet në të gjitha fushat, duke filluar nga marrëdhëniet tona ekonomike, në fushën e energjisë, e deri te turizmi. Kemi diskutuar për projektet e mëdha kombëtare siç është rruga Durrës-Morinë, Vermosh-Shkodër, etj. dhe forma të tjera të investimeve për lidhje më të afërta mes dy vendeve tona.
Ne kemi biseduar edhe për situatën në të cilën po kalon Kosova, për punën që po bën qeveria e Kosovës në promovimin e argumenteve që mbështesin kërkesën tonë për pavarësi.
Kemi biseduar gjithashtu edhe për përgatitjen e bashkëpunimit tonë, pas finalizimit të statusit së Kosovës, që të fillojmë përgatitjet për ndërtimin e kapaciteteve të diplomacisë kosovare. Disa zyrtarë kosovarë shumë shpejt do të shkojnë të ushtrojnë praktikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Gjithashtu, do të përfitojmë dhe nga shumë praktika dhe standarde të Shqipërisë, pas arritjes së statusit dhe në veçanti për një bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe në fushën e sigurisë.
E kam falënderuar dhe do ta falënderoj edhe sot publikisht zotin Berisha, qeverinë shqiptare, për rolin shumë konstruktiv në procesin e vendosjes së statusit të Kosovës dhe i inkurajoj që të vazhdojnë ta mbështesin kërkesën tonë për pavarësi të pakufizuar.
Më pas, Kryeministri Berisha dhe KryeministriÇeku iu përgjigjën interesimit të gazetarëve:
Pyetje: Zoti Berisha, është hera e parë që vizitoni Kosovën, Si ndiheni dhe cilat janë emocionet tuaja?
Kryeministri Berisha: Është e vërtetë që unë fizikisht vij sot për vizitë të parë zyrtare në Kosovë, por të jeni të bindur se me mendje kam ardhur me qindra e mijëra herë, kam lexuar kaq shumë, sa më duket se kam qenë shumë herë në këtë vend.
Pyetje: ZotiÇeku, me ardhjen tuaj në detyrën e kryeministrit të Kosovës, ju u angazhuat për afrimin e serbëve në institucionet kosovare. Si ka ecur ky proces?
KryeministriÇeku: Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje të shumta për integrimin e minoriteteve. Ky është një prioritetet i të gjitha institucioneve dhe qeverisë së Kosovës. Ne kemi bërë përparime përsa i përket këtij problemi. Ende konstatojmë një mungesë vullneti të komunitetit serb, apo të deputetëve të opozitës, për ta njohur realitetin dhe për t'u angazhuar në institucionet e vendit. Mungesa e realizmit është shume e theksuar në lidershipin serb dhe ata duhet të mësojnë nga historia se, askush në botë nuk e ka paguar më shumë mungesën e realizmit sesa populli serb. Procesi do të finalizohet në mënyrë të sukseshme dhe komuniteti serb do ta shohë Kosovën si vend të tyre, ku respektohen të gjitha të drejtat e tyre. Edhe pse vihet re një vullnet i tyre i munguar, ne nuk do t'i ndalim përpjekjet tona. Do të vazhdojmë të dëshmojmë se vërtetë përpjekjet tona janë të sinqerta, bujare dhe u ofrojnë një jetë më të mirë qytetarëve serb të Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të saj.
Pyetje: Zoti Berisha cilat janë detyrat dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në çështjen e statusit të Kosovës?
Kryeministri Berisha: Sapo i pohova kryeministritÇeku se detyrën tonë në këtë drejtim na e ka lehtësuar shumë udhëheqja politike e Kosovës me qëndrimet e saj të përgjegjshme, me përkushtimin e saj, kështu që ne e kemi patur të thjeshtë këtë detyrë. Ne kemi mbështetur dhe mbështesim pavarësinë e Kosovës, sikundër qëndrojmë fuqishëm për respektimin e lirive dhe të drejtave të serbëve dhe të pakicave të tjera në Kosovë, si një kusht për paqe dhe stabilitet në Kosovë.
Unë e përgëzoj zotinÇeku për përpjekjet serioze që janë bërë për kthimin e të zhvendosurve, Grupin Negociator për platformën e hartuar, e cila mishëron plotësisht parimet e Kartës Europiane të autonomisë lokale dhe rajonale. Natyrisht, do t'u bëja thirrje edhe qytetarëve të Kosovës, të marrin pjesë në këtë proces, sepse edhe çdo qytetar i saj ka në dorë të vendosë një gur të ri në drejtim të pavarësisë së Kosovës, duke përshtatur një qëndrim të ri ndaj pakicave dhe minoriteteve në tërësi.
Pyetje: Zoti Berisha, ndoshta në vizitën tuaj të ardhshme në Kosovë, në vend të flamurit shqiptar do të jetë një flamur tjetër. Si do të ndiheshit ju për këtë gjë?.
Kryeministri Berisha: Dy vëllezër të bashkuar, projekt i Bashkimit Eurpian, jo vetëm për ne që jemi një komb i vuajtur, por edhe për kombet më të zhvilluar, është mrekullia më e madhe, sic e ka thënë ish kryeministri i Spanjës, Gonzales, që nga Rilindja e deri më sot. Absolutisht, bashkimi ynë me Europën, si dy vende vëllezër, është e ardhmja më e shkëlqyer për të cilën ne duhet të punojmë.