E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha takon Zëvendës Drejtorin për Europën të FMN-së, Zotin Ajai Chopra

Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha pati nje takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Zëvendës Drejtori për Europën, Zoti Ajai Chopra.

Në takim u diskutuan rezultatet e ecurisë ekonomike të vendit, si dhe masat e reja që do të ndërmarrë qeveria në të ardhmen, në fushën e politikave dhe administrimit fiskal, financave publike, klimës së biznesit e zhvillimit të sektorit privat, sektorit bankar, etj.

Të dyja palët u shprehën të kënaqura me arritjet e deritanishme të politikave ekonomike të qeverisë. Në mënyrë të veçantë, përfaqësuesit e Fondit shprehën mbështetjen e tyre të plotë për qeverisë në vazhdimin e këtyre reformave dhe optimizmin aftësitë e saj për të hartuar dhe zbatuar politikat ekonomike dhe të zhvillimit.

Bashkëfolësit ndanë mendimin se në prezantimin e ndryshimeve fiskale duhet gradualitet dhe kujdes, për të siguruar qëndrueshmëri dhe garanci në përmbushjen e objektivave të qeverisë. Në këtë drejtim, Zoti Berisha u shpreh se "këto lëvizje duhet të bëhen në përputhje me konsolidimin e administrimit fiskal dhe nuk duhet të shoqërohen me rënie të të ardhurave sepse kjo do të kishte një ndikim tërësor negativ".

Ata ranë dakort që në mesin e këtij viti, mbi bazën e arritjeve shumë pozitive të qeverisë në 6 muajt e fundit, të prezantohen ndryshime të mëtejshme fiskale, veçanërisht uljen e ndjeshme të kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore, si dhe rishikimin e buxhetit publik. Të dyja palët ranë dakord që të ardhurat shtesë nga përmirësimi i administrimit fiskal të përdoren në fushat më prioritare, kryesisht në përmirësimet e infrastrukturës dhe lehtësimin e barrës fiskale ndaj biznesit.

Në takim u fol gjithashtu mbi politikën e pagave dhe shpërblimeve duke theksuar nevojën për thjeshtësimin, rritjen e transparencës dhe balancës në politikat e pagave.

Një çështje e rëndësishme e diskutimit ishte rritja e ndjeshme e kreditimit të ekonomisë në këto muajt e fundit, një shenjë pozitive që dëshmon besimin dhe optimizmin e lartë të biznesit dhe konsumatorëve.

Duke folur për klimën e biznesit, Zoti Kryeministër theksoi se një nga përfitimet e mëdha të arritjeve të luftës sw qeverisë kundër krimit dhe korrupsionit është efekti i jashtëzakonshëm që një ekonomi dhe shoqëri e çliruar nga krimi kanë në zhvillimin e biznesit dhe sipërmarrjes së lirë.

Për sa i përket ekonomisë publike, Kryeministri Berisha theksoi se privatizimi i kompanive publike është prioritet kryesor i qeverisë që nuk mund të shtyhet për më vonë, pasi shndërrimi i këtyre kompanive në private është e vetmja mënyrë për të siguruar jo vetëm ristirukturimin dhe menaxhimin e tyre më të mirë, por edhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ato i japin publikut.

Kryeministri Berisha theksoi dedikimin e qeverisë për thellimin e decentralizimit fiskal, që do të mundësojë adminstrimin total të taksave të biznesit të vogël dhe të taksës mbi pasuritë të paluajtme nga ana e pushtetit lokal.

Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e FMN për përcaktimin e qartë të ekzekutimit të kolateraleve, një praktikë të re, në mënyrë që krediti të garantohet plotësisht.

Nga ana e tij, Zotit Chopra u shpreh që prioritet kryesor i reformave duhet të jetë "forcimi i institucioneve private dhe publike në Shqipëri, që do të thotë që qeveria të përqendrohet në funksionet e saj bazë dhe sektori privat e tregu të lihen të veprojnë sa më lirë të jetë e mundur". Ai shprehu mbështetjen e FMN-së për qeverinë dhe reformat e saj dhe u shpreh i kënaqur me nivelin e profesionalizmit dhe të bashkëpunimit të qeverisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›