Intervistë e kryeministrit Sali Berisha, dhënë të përditshmes franceze "Le Figaro"
Gjatë vizitës në Francë, kryeministri Sali Berisha u intervistua nga e përditëshmja "Le Figaro".
Pyetje: Zoti kryeministër, a ka bërë Shqipëria përparime në luftën kundër korrupsionit, një ndër të këqiat më të mëdha për Shqipërinë?
Zoti Berisha: E vërtetë, e shkuara e Shqipërisë dëshmon një imazh jo të këndshëm. Por, me ndryshimin e pushtetit pas zgjedhjeve të përgjithshme të korrikut të vitit të kaluar, ne kemi ecur përpara. Shqiptarët janë vetëdijësuar se duhet t'i shembin muret e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Qeveria ime po bën të gjitha përpjekjet për rivendosjen e shtetit ligjor. Padronë të mafias dhe krimit të organizuar janë vendosur para drejtësisë dhe ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një ndër vendet më të sigurta të rajonit.
Pyetje: Në Vjenë, do të rifillojnë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës. Mendoni se ka hapësirë për kompromis?
Zoti Berisha: Nuk ka projekt tjetër, që do të mund të garantonte paqen dhe stabilitetin, veç pavarësisë së Kosovës. Autoritetet kosovare po punojnë që serbët të kthehen në vatrat e tyre. Por vetëm pavarësia e Kosovës do të zgjidhte jo vetëm problemin shqiptar në Ballkan. Pavarësia e saj do të ndihmonte edhe Serbinë për t'u ndarë nga e kaluara e saj e afërme dhe të shohë nga e ardhmja. Autoriteteve të Beogradit u mungon ky realizëm. Serbia e konsideron humbjen e mundshme të Kosovës dhe Malit të Zi si një dramë, kur duhet të kuptojë se duke flakur tej të kaluarën, ajo do të ndërtojë të ardhmen e saj.
Pyetje: Disa i druhen faktit se me një Kosovë të pavarur në Europë do të ekzistojnë dy shtete shqiptare.
Zoti Berisha: Ideja e Shqipërisë së madhe nuk ekziston. Dëshira e shqiptarëve në Kosovë është integrimi në BE dhe jo t'i bashkëngjiten Shqipërisë.
Pyetje: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Beogradin?
Zoti Berisha: Marrëdhëniet midis dy vendeve tona mund të ishin edhe më intensive, në rast se autoritetet e Beogradit nuk do të shfaqnin ngurtësi. Ata nuk duhet të drejtohen nga çështja e Kosovës në marrëdhëniet tona.
Pyetje: A jeni të zhgënjyer nga pushteti që pasoi Milosevicin në Beograd?
Zoti Berisha: E kaluara e afërme e Serbisë është tragjike. Prandaj është iluzion të besohet se ajo do të çlirohej shpejt nga kjo e kaluar. Megjithëse tashmë Beogradi ka ndryshuar mjaft, problem mbetet fakti se demilitarizimi, si kusht themelor për një vend ish-totalitar për të qenë i lire, nuk është arritur ende. Për pasojë, një kriminel, si Mlladiç, mund të mbajë peng gjithë kombin.
Pyetje: A jeni i kënaqur me ritmin e afrimit të vendit tuaj me BE-në?
Zoti Berisha: Ne jemi të ndërgjegjshëm se procesi i zgjerimit të BE-së ndeshet me pengesa. Integrimi duhet të jetë një proces i merituar dhe ne do të bëjmë gjithçka për arritjen dhe zbatimin e standarteve europiane. Identiteti dhe rrënjët tona janë në europiane. Ndaj dhe ky proces ka të bëjë veçse me fitimin e vendit që na takon në familjen europiane.