Kryeministri Sali Berisha takon kryeministrin grek Kostas Karamanlis
Sot pasdite kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Selanik një takim me kryeministrin grek, Kostas Karamanlis.
Kryeministri Berisha e njohu homologun grek mbi përpjekjet dhe arritjet e qeverisë në fushën e rivendosjes së rendit publik, shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u shprehur se qeveria që ai drejton është duke e nënshtruar korrupsionin dhe krimin në Shqipëri.
Gjithashtu kryeministri Berisha vuri theksin mbi reformat në fushën ekonomike, sidomos reformat fiskale dhe përpjekjet për rritjen e investimeve te huaja në Shqipëri, duke kërkuar me këtë rast mbështetjen e kryeministrit grek për nxitjen e investimeve greke në vendin tonë.
Kryeministri Karamanlis shprehu vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke. Zoti Karamanlis vlerësoi gjithashtu reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare, duke u shprehur se Shqipëria është duke përparuar në nivelin e standarteve europiane dhe duke u afruar gjithnjë e më shumë me BE-në. Me këtë rast, kryeministri grek e përgëzoi kryeministrin Berisha për nënshkrimin shumë të afërt të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Ndër të tjera, dy Kryeministrat biseduan për çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e statusit final të saj, si dhe për zhvillime të tjera politike dhe të bashkëpunimit në rajon.
Në takim u fol edhe për gjendjen e minoritetit grek në Shqipëri dhe të dy kryeministrat u shprehën të kënaqur në këtë drejtim.
Gjithashtu u diskutua për gjendjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në mënyrë të veçantë, kryeministri Berisha i kërkoi homologut të tij grek mbështetjen për miratimin e ligjit të pensioneve për emigrantët shqiptarë. Zoti Karamanlis u shpreh i gatshëm në lidhje me këtë çështje.
Në përfundim të takimit, të dy kryeministrat shprehën përkushtimin e tyre për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.