Njoftim
Zyra e Informacionit e Këshillit të Ministrave konstaton me keqardhje se artikulli "Berisha-Erdogan, takim i ftohtë", botuar në numrin e sotëm të "Gazetës Shqiptare" përmban pretendime të pasakta dhe ofron një "analizë" thellësisht disinformuese.
Ndryshe nga ç'ka shkruhet në artikull, takimi midis Kryeministrave Berisha dhe Erdogan ka qenë takim i hapur, mirëkuptues dhe i përzemërt. Të dy Kryeministrat kanë konfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe qeverive, si dhe janë angazhur për t'i thelluar më tej këto marrëdhënie. Fryma thellësisht miqësore dhe pozitive e takimit është shprehur qartazi në njoftimet publike, të bëra nga palët pas takimit.
Përndryshe "fakteve" të artikullit, Kryeministri Erdogan e ka ftuar zyrtarisht Kryeministrin Berisha për një vizitë në Turqi vetëm pak ditë mbas zgjedhjes së tij në postin e kryeministrit, saktësisht më 12 shtator 2005. Pak javë më vonë Kryeministri Berisha gjithashtu e ka ftuar zyrtarisht Kryeministrin Erdogan për të vizituar Tiranën.
Zyra e Informacionit e Këshillit të Ministrave njofton se së shpejti kryeministri Berisha do të vizitojë Turqinë.