Kryeministri Berisha takon të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisarin
Dje, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Selanik një takim me të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisarin, gjatë të cilit u bisedua mbi procesin e negociatave për statusin final të Kosovës.
Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë vlerësimin e lartë të qeverisë shqiptare për punën dhe përpjekjet e Zotit Ahtisari dhe ekipit të tij.
Zoti Berisha theksoi se pozicioni i Shqipërisë mbetet i qartë dhe i palëkundur në respekt të vullnetit të plotë të qytetarëve të Kosovës dhe në garantim të të drejtave të minoriteteve dhe çdo qytetari te Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo kulturore.
Duke theksuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës ka rëndësi jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë rajonin, Zoti Berisha e siguroi sërish Zotin Ahtisari se qeveria e Shqiperisë është e gatshme të japë çdo kontribut të mundshëm për mbylljen me sukses të negociatave.