E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha takon Presidentin e Bullgarisë Georgi Parvanov

“Korridori VIII dhe AMBO, interes ekonomik për dy vendet”

Kryeministri Berisha priti dje në një takim Presidentin e Bullgarisë, Georgi Parvanov. Gjatë takimit, Berisha vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e Presidentit Georgi Parvanov si një kontribut i rëndësishëm për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe si një nxitje për zgjerimin marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis dy vendeve, të cilat me gjithë rritjen e theksuar që kanë njohur gjatë viteve të fundit, kanë hapësira dhe potenciale të mëdha për zhvillimin te mëtejshëm.
Të dy personalitetet nënvizuan rëndësinë e përqendrimit të të dy vendeve në projektet e mëdha infrastrukturore me interes për të gjitha vendet e rajonit, si linja hekurudhore që do të lidh Shqipërinë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, Korridorin e tetë apo projekte te tjera si AMBO, të cilat kanë rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të mbarë rajonit. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi nxitjen e investimeve dhe projekteve ne fushën e energjisë, bujqësisë, kulturës, arsimit etj.
Berisha i shprehu Presidentit Georgi Parvanov mirënjohjen për ratifikimin e shpejtë nga Bullgaria të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke shtuar se qeveria shqiptare po realizon me vendosmëri reforma të rëndësishme për realizimin sa me parë të dy projekteve madhore për kombëtare, integrimin në NATO dhe në BE.
Presidenti i Bullgarisë, Parvanov shprehu vlerësimin e tij të lartë për progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat duke theksuar se Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë me forcë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe në BE.
Edhe Topi takon Presidentin e Bullgarisë/ Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov, i cili zhvilloi dje një vizitë zyrtare në vendin, u prit në një takim nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Kreu i shtetit shqiptar, Topi, falënderoi mbështetjen e gjerë të shprehur nga Bullgaria ndaj aspiratave të integrimit të Shqipërisë në NATO. Sipas tij, Shqipëria është pjesë e aspiratës euroatlantike, të cilën Bullgaria e ka kaluar prej vitesh.
“Falënderoj Presidentin Parvanov për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë pikërisht në këtë rrugë, për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit në NATO dhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian”, tha Topi.
Presidenti Topi shtoi në vijim se forcimi i dialogut politik mes dy vendeve kontribuon denjësisht në intensifikim e marrëdhënieve në fusha të ndryshme, duke u fokusuar kryesisht në sektorët ekonomikë. Në këtë aspekt, ai u shpreh se ndërtimi i korridorit VIII, mbetet një projekt tepër i rëndësishëm, për të cilin ka shprehur mbështetje të hapur edhe Italia, e cila u konfirmua edhe nga vizita e Berluskonit në Tiranë. Ndërsa nga ana tjetër, Presidenti Bullgar Georgi Parvanov, vlerësoi marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve. Presidenti bullgar tha se prezenca e tij në Shqipëri, lidhet me faktin se është një dëshmi tjetër për mbështetje për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Për sa u takon zhvillimeve në rajon, Presidenti Bullgar, Parvanov, vuri në dukje qëndrimin e mbajtur deri më tani nga vendi i tij, për çështjen e Kosovës, ku deklaroi se Bullgaria e realizoi aktin e njohjes së saj.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›