Shqipëria anëtarësohet në NATO në Samitin e ardhshëm, në prill të vitit 2009

Brukseli ka deklaruar zyrtarisht se dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kroacia, do të bëhen pjesë e NATO-s, gjatë punimeve të samitit të ardhshëm, që mbahen në prill. Ministrat e NATO-s konfirmuan se Shqipëria ka realizuar reforma të rëndësishme dhe se e mirëpresin me padurim përfundimin e procesit të ratifikimit të protokolleve.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, që gjatë dy ditëve me radhë zhvilluan punimet në Bruksel, në kuadër të punimeve vjetore të Ministerialit, dhanë dje konfirmimin zyrtar, se mirëpresin Shqipërinë në gjirin e NATO-s. Sipas ministrave, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO, gjatë samitit të ardhshëm, që mbahet në prill të 2009-ës, në dy qytete, Strasburg dhe Këln. Në komunikatën e përbashkët, pas diskutimeve mbi Kosovën, Afganistanin, pas Mbledhjes së Komisionit NATO-Gjeorgji, dhe Komisionit NATO-Ukrainë, ministrat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, deklarojnë se Shqipëria së bashku me Kroacinë, kanë përmbushur reformat e rëndësishme dhe se rruga e tyre për në NATO, finalizohet gjatë punimeve të samitit të ardhshëm, duke aderuar plotësisht në këtë strukturë.
Takimi dy ditor që u zhvillua në Bruksel, në epiqendër të diskutimeve të gjëra, kishte kryesisht të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende të cilat për herë të parë merrnin pjesë në mbledhjen e Ministerialit vjetor të NATO-s. “Shqipëria dhe Kroacia, kanë kryer tashmë reforma të rëndësishme dhe po japin kontribut domethënës ndaj sigurisë euroatlantike. Vendet anëtare të Aleancës presin me padurim përfundimin e procesit të ratifikimit të protokolleve. Objektivi i Aleancës është anëtarësimi i të dyja vendeve në Samitin e ardhshëm”, deklaron Ministeriali i ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, në fjalën e tij, falënderoi ministrat e jashtëm të vendeve që kanë ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si dhe përshëndeti angazhimin e vendeve të tjera të Aleancës për të përmbyllur me sukses anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO përpara Samitit të Strasburgut. Njëherazi, Basha ka marrë garancinë nga homologia e tij greke, Bakojanis, se Greqia ratifikon brenda dhjetorit, protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ndërsa, lidhur me zhvillimet në rajon, ministrat e NATO-s, njëzëri përshëndetën vendimin për shtrirjen e menjëhershme të Misionit EULEX në Kosovë si një hap i shumëpritur që i kontribuon konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë në funksion të realiteteve të reja politike pas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë kuadër ministrat e jashtëm konfirmuan angazhimin e tyre dhe të Aleancës për të vazhduar punën e KFOR-it brenda mandatit dhe konfigurimit të tij aktual. Ata theksuan gjithashtu se NATO është e gatshme të nisë punën për zbatimin e një vizioni afatgjatë për sigurinë në Kosovë. Ministrat e jashtëm rikonfirmuan mbështetjen e tyre për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, dhe bënë të ditur angazhimin e tyre financiar për fondin përkatës që Aleanca ka krijuar në funksion të mbështetjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në këtë sesion, shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, theksoi se falë angazhimit të Aleancës, situata e stabilitetit të sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin është përmirësuar ndjeshëm. Basha përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës për të mundësuar shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Duke nënvizuar angazhimin e NATO-s për integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ministri Basha theksoi se zbatimi i plotë dhe pa mëdyshje i Planit Ahtisaari është garanci dhe domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon.
Më tej ministri Basha informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut mbi kontributin prej 250 mijë eurosh që Shqipëria do të japë për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Shqipëria, mbështet fuqimisht aspiratat euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit dhe do të punojë me përkushtim edhe brenda Aleancës për realizimin e këtij vizioni të përbashkët”, tha Basha. Duke mbështetur fuqishëm angazhimin e Aleancës në Afganistan, ministri Basha informoi ministrat e jashtëm të NATO-s se Shqipëria së shpejti do të rrisë numrin e efektivave të saj që shërbejnë në kuadër të ISAF në Afganistan për t’iu përgjigjur kështu nevojave të Aleancës dhe thirrjeve për angazhim edhe me të madh në drejtim të situatës së sigurisë në këtë vend.
Pas përfundimit të Ministerialit, ministri Basha u nis, së bashku me një numër të madh kolegësh drejt Norvegjisë, ku do të nënshkruajë Konventën e OKB-së për ndalimin e Municioneve Thërrmuese.
...