E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha vazhdon turin e takimeve me banorët e Rrethit të Dibrës

Rruga e Arbrit, një ndërtim, jo vetëm në shenjë mirënjohjeje për Qarkun e Dibrës, por edhe si objektiv për bashkimin e shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha ju ka shprehur banorëve të Dibrës, mirënjohjen për mbështetjen që i dhanë PD-ës, në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa si vlerësim për këtë mbështetje, ai ka njohur të pranishmit në një tubim, se qeveria po mban premtimet, duke filluar punimet e rrugës së Arbrit.

Vlerësimet e tij Kryeministri i bëri të ditura dje, në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për sistemim asfaltimin e rrugës Ura e Cerenecit – Peshkopi (Maqellarë – Peshkopi ) loti 2. Kjo rrugë fillon në Maqellarë dhe lidhet me rrugën e Arbrit, përmes segmentit Ura e Cerenecit – Bllatë. 

“Së pari, me mirënjohjen më të thellë, ju falënderoj për mbështetjen e madhe që na dhatë në 28 qershor dhe për mbështetjen që i keni dhënë gjithnjë Partisë Demokratike dhe demokracisë shqiptare. Së dyti, duke përshëndetur çdo dibrane dhe dibranë, kudo që ndodhen sot, unë shpreh kënaqësinë time, se sot inaugurojmë fillimin e punimeve të rrugës së Arbrit drejt Peshkopisë, pra segmentin e saj drejt Peshkopisë, një premtim elektoral ky i qeverisë sime. Unë po vij nga Bulqiza. Aty inauguruam një segment tjetër të kësaj rruge, që është gjithashtu një rrugë e një rëndësie shumë të madhe për Peshkopinë, Bulqizën, Matin, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Rruga e Arbrit është shndërrimi në realitet i një ëndrre të banorëve të këtyre zonave, të të gjithë shqiptarëve të trevave të tjera, të lidhura shpirtërisht dhe pazgjidhshmërisht me Dibrën, me Tiranën dhe mbarë Shqipërinë”, u shpreh dje Kryeministri Berisha.

Kryeministri vlerësoi shumë të rëndësishme lidhjen e këtij segmenti rrugor me rrugën e Arbrit, për zhvillimin e kësaj zone, duke theksuar se ndërtimi i këtij segmenti është një premtim elektoral i mbajtur i qeverisë.

“Rruga e Arbrit është vepër madhore, e cila do të përfundojë brenda 2 viteve të ardhshme. Kjo rrugë bën të mundur që banorët e Peshkopisë, të Maqellarës, Bulqizës dhe gjithë këtyre zonave, të vijnë në Tiranë në një kohë mbi 2 herë më të shkurtër dhe në kushte shumë herë më komode se sa në rrugën ekzistuese”, vuri në dukje Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike dhe bën që gjithë portet e Shqipërisë të jenë gjithnjë e më të përzgjedhur e më të përshtatshme, për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore.

“Rruga e Arbrit gjithashtu shkurton distancën midis Shkupit dhe Tiranës, me mbi 100 kilometra. Ajo i afron zonat shqiptare të Maqedonisë me Tiranën, Durrësin, Vlorën, shkurton distancën e tyre me vendin, me Shqipërinë, rreth dy herë.

Rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike, bën që gjithë portet e Shqipërisë të bëhen gjithnjë e më të përzgjedhur e më të përshtatshme, për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore. Rruga e Arbrit do të jetë rruga e fluksit të madh turistik. Këtë verë qindra e mijëra qytetarë maqedonas me origjinë shqiptare dhe jo shqiptare, kanë kaluar pushimet në brigjet e Shqipërisë. Në shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj tyre dhe bëjmë zotimin  solemn se do të bëjmë çdo gjë që atë ta përfundojmë brenda dy viteve, në mënyrë që ata të vijnë në Shqipëri në kushtet më komode. Këtë rrugë ata dhe gjithë shqiptarët e meritojnë plotësisht”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se është në ndërtim e sipër dhe rruga që lidh Peshkopinë me Kukësin. Kjo rrugë lidh Peshkopinë me tregun e Kosovës, me Prizrenin, me Prishtinën, pra hap një perspektivë të madhe zhvillimi për qarkun e Peshkopisë.

 “Me përfundimin e kësaj rruge dhe në rrugës së Arbrit, Peshkopia do të ketë lidhjet më moderne më Tiranën, Prishtinën, Shkupin”, theksoi Kryeministri.

Gjithashtu, sipas Kryeministrit, së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin.

“Së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin. Në këtë mënyrë, ne urbanizojmë këtë rreth të mrekullueshëm, në këtë mënyrë ne bëjmë që ju të kapni tregun dhe të rrisni prodhimet tuaja”, deklaroi më tej Berisha.

Kryeministri tha se një tjetër premtim elektoral i mbajtur i qeverisë, është çelja këtë vit e universitetit të Peshkopisë.

“Shpreh kënaqësinë e madhe që këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Por ju i meritoni të gjitha premtimet dhe realizimin e tyre, ndaj unë ju jap fjalën ju se çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta shndërroj në realitet”, tha Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›