Pakti, Gjykata e Lartë sot kthen Gabën
Gjinovefa Gaba, ish-kryetarja e Apelit të Vlorës, e shkarkuar në janar të vitit të kaluar për shkelje të rënda dhe abuzime me detyrën pritet të përfitojë sot rikthimin në detyrë. Vendimi i pritshëm në favor të saj pritet të shpallet sot pas paktit të bërë mes saj dhe trupës gjykuese të çështjes në Gjykatën e Lartë, i cili ka vendosur ta rehabilitojë ish-gjyqtaren në një kohë kur vëmendja e opinionit publik është përqendruar në fushatën elektorale dhe zgjedhjet parlamentare të fundjavës. Pas zhvillimit të seancës gjyqësore pak kohë më parë, Kolegjet e Bashkuara caktuan orën 09:00 të mëngjesit të sotëm për të shpallur vendimin në favor të Gabës, të cilës në momentin e shkarkimit nga KLD-ja iu gjetën 15 shkelje të rënda të kryera në detyrë në periudhën kohore qershor 2004 – qershor 2007. Mes të tjerash Inspektorati i KLD-së dhe ai i ministrisë konstatuan se Gaba kishte falsifikuar një vendim gjyqësor, duke e shpallur ditë të shtunë, ndërsa në një tjetër kishte vendosur emrat e kolegëve duke e shpallur në një datë kur ata ndodheshin në Maqedoni. Por ndryshe nga këto shkelje, për të cilat është ndëshkuar nga KLD-ja ish-gjyqtarja Gaba është akuzuar publikisht nga qytetari vlonjat Aleko Beqiraj 55 vjeç, i cili pretendon se ndërhyrjet dhe intrigat e kësaj ish-gjyqtareje i kanë sjellë veç të tjerash, atij dhe familjes së tij, pasoja të rënda për shëndetin, si dhe përballjen me akuza të rreme për tre vjet e gjysmë nëpër dyert e gjykatave dhe prokurorive, ku sipas tij ndikonin ndërhyrjet dhe intrigat e Gabës. Aleko Beqiraj pohoi dje se më 8 prill 2005 ka blerë një makinë nga një person që i ishte prezantuar si Vladimir Gaba (i shoqi i ish-gjyqtares), ndërsa i kishte treguar një certifikatë. Të dy kishin shkuar tek një notere ku kishin bërë aktin e blerjes të mjetit tip “Benz 200”. Rreth një vit më vonë, pas një hetimi të iniciuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive në ngarkim të Gjinovefa Gabës, Beqiraj thirret në Prokurori ku i kanë thënë, që dokumentet e makinës ishin të falsifikuara dhe se personi që e kishte shitur ishte Altin Idrizi. Më pas doli, sipas dokumenteve, se Vladimir Gaba, i shoqi i Gjinovefa Gabës, ia kishte shitur makinën Artur Binajt, ky, Altin Idrizit dhe nga ky, mjeti kishte përfunduar tek Beqiraj. Vladimir Gaba, bashkëshorti i Gjinovefa Gabës nuk ka pasur asnjë pretendim ndaj Beqirajt për pronësinë e mjetit, ILDKP kishte verifikuar se mjeti rezultonte në emër të tij në vitin 2003, megjithëse e kishte shitur në vitin 2000. Për këtë Beqiraj u akuzua për falsifikim dhe vënie në përdorim dokumentesh false. Gjatë procesit Idrizi pranon se kishte falsifikuar certifikatën e Vladimir Gabës, të cilën e kishte gjetur në kruskotin e makinës dhe në bazë të saj kishte bërë shitjen e mjetit. Por kjo nuk u mor parasysh nga gjykata, pasi sipas Beqirajt në proces kishte ndërhyrë Gjinovefa Gaba. Edhe pse ekspertizat e kanë nxjerrë 55-vjeçarin të pafajshëm për falsifikimin, ai u dënua nga Fakti me 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë më 13 dhjetor 2006. Ndërsa Apeli më 15 qershor 2007 vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e vënë dy vjet në provë. Por Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes në Fakt, ku pas gjykimit qytetari Beqiraj mori pafajësi më 21 prill 2009. Ndërkohë, më 8 prill të këtij viti Beqiraj ka marrë vendimin e pushimit të një tjetre çështjeje në Prokurorinë e Fierit ku ishte akuzuar për “kallëzim të rremë”. fa.ma.
KLD: 15 shkelje te Gjinovefa Gabës
TIRANE - Ish-drejtuesja e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba e akuzuar publikisht nga dhjetëra qytetarë që kanë denoncuar përgjatë dy viteve abuzimet e saj në detyrë, u akuzua përpara KLD-së për abuzime në 15 dosje të shqyrtuara prej saj. Shkeljet që janë gjetur nëpër dosjet e gjykata nga Gaba janë: Falsifikim vendimesh gjyqësore; paaftësi në ushtrimin e detyrës; dhënie vendimesh sipërfaqësore; abuzim me ligjin; keqinterpretim i legjislacionit penal; mosadministrim i dokumentacionit të gjykatës dhe shkelje të procedurave me shortin e gjykatës. Në mbledhjen e 31 janarit 2008, KLD-ja deklaroi se Gjinovefa Gaba kishte cenuar rëndë imazhin dhe integritetin e gjyqësorit me abuzimet dhe shkeljet që ishin gjetur në Apelin e Vlorës dhe dosjet e shqyrtuara prej saj, duke vendosur shkarkimin e saj nga detyra. Menjëherë pas shkarkimit Gaba u padit në prokurori, ndërsa ajo dhe ish-vartësit e saj të shkarkuar paraqitën rekurs në Kolegjet e Bashkuara kundër vendimit të KLD-së. Ndërkohë inspektoratet e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë e kanë gjetur Gabën me mjaft shkelje të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga qershori 2004 deri në qershor 2007. fa.ma
Beqiraj ministrit Alibeaj: Do bëj vetëgjyqësi, Gaba më nxiu jetën
TIRANE - Falsifikimi i bërë nga Vladimir Gaba dhe ndërhyrjet e bashkëshortes së tij, Gjinovefa Gaba i kanë kushtuar plot tre vjet e gjysmë hallakatje nëpër dyert e gjyqeve 54-vjeçarit vlonjat Aleko Beqiraj. Tashmë ai mban në duar një dosje të mbushur me vendime pafajësie dhe pushime akuzash, ndërsa përsërit çdo moment: “Si nuk u hyri një gjemb në këmbë, këtyre njerëzve që më shkatërruan jetën me akuza dhe gjyqe të stisura, në mënyrë që të mbronin falsifikatorët e vërtetë?!”. Tashmë ky qytetar ka marrë në dorë dy vendime në favor të tij, një nga Gjykata e Vlorës, e cila i ka dhënë pafajësi për intrigat e ngritura nga njerëzit e drejtësisë në qytetin e tij, ndërsa vendimi i dytë është pushimi i çështjes më të fundit ndaj tij, hetuar nga Prokuroria e Fierit. Së fundmi, Beqiraj i është drejtuar me letra edhe Kryeministrit, Presidentit, Kryeprokurores, KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë në njërën nga të cilat pohon: “Në mënyrë që të vejë në vend dinjiteti im dhe i familjes time kërkoj që gjyqtarët Marinela Nuni e Vlorës, Agim Ferizaj, Vladimir Sadiraj dhe Shkëlqim Miri të Durrësit, si dhe prokurorët Hyrjet Lamaj, Pelivan Malaj e Alma Kola, të ndëshkohen në bazë të nenit 248 dhe 313 të Kodit Penal”. Në letrën për ministrin Alibeaj, Beqiraj thotë: “Mua si qytetar këto organe ma kanë hequr të drejtën e kallëzimit në adresë të tyre, pasi kallëzimet e mia i quajnë të rreme dhe aktualisht më ka ngelur vetëm dhuna fizike ndaj tyre”. fa.ma.