Kryeministri Thaçi takohet me përfaqësues të Bankës Botërore dhe FMN-së
Kryeministri Hashim Thaçi ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën e parë të vizitës, Kryeministri Thaçi është pritur në Bankën Botërore nga zëvendëspresidenti për Europën dhe Azinë Qendrore i kësaj banke, Philippe Le Houerou. Në takim është diskutuar për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për rolin dhe mbështetjen e Bankës Botërore në zhvillimin e kapaciteteve ekonomike, që do të ndikojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës. Me këtë rast, Kryeministri Thaçi potencoi hapat që janë ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim, që ndërlidhen me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, hidrocentralit të Zhurit, si dhe projektin e madh të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë. Kryeministri Thaçi në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, vlerësoi lart mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës në kuadër të procesit shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që është parakusht i domosdoshëm për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti për Europën dhe Azinë Qendrore i Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, shprehu konsideratat më të larta për Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për punën dhe përkushtimin që ka treguar qeveria e Republikës së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore në Kosovë, thuhet në një komunikatë nga qeveria. Philippe Le Houerou theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë në mënyrë të vazhdueshme Kosovën në kuadër të këtyre proceseve. Po dje pasdite, sipas kohës amerikane, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë takime me drejtorin menaxhues të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn dhe me drejtorin ekzekutiv, Arrigo Sadun. Në mbrëmje, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të zhvillojë një takim edhe me ambasadorin Morton Abramowitz. Nesër Kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime në Departamentin e Shtetit, ndërsa në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbajë ligjëratën me temën “Ndërtimi i së ardhmes euroatlantike të Kosovës: sfidat dhe mundësitë para nesh”. Të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kryeministri Thaçi do të pritet nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden, ndërsa të enjten do të zhvillojë takime në Kongresin e SHBA-së.
#