E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca PD-LSI, NATO për SHISH-in në mes

Drafti që pritet të hidhet në votim pas dy ditësh, u kontestua ashpër nga NATO

Ndryshimi i ligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit ka bërë që Partia Demokratike të ketë kundër jo vetëm përfaqësuesit e NATO-s, por edhe aleatët e saj në qeverisje. Vendosja për miratim në kalendarin e punimeve të Kuvendit të kësaj nisme të shumëdebatuar pritet që t’i sjellë PD-së pas dy ditësh edhe probleme me numrat në sallën e Kuvendit. Kjo, pasi aleatët e PD-së në qeverisje deklaruan dje se refuzojnë të miratojnë një projektligj i cili nuk ka marrë miratimin e NATO-s. Ky qëndrim i LSI-së u artikulua dje nga Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama, i cili në një konferencë për shtyp theksoi se deputetët e kësaj partie do të miratonin vetëm ato nisma të cilat ishin të mirëkonsultuara me aleancën. “Bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente dhe në luftën kundër terrorizmit është prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë, ndaj dhe çdo ndryshim besoj se do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të ngushtë me NATO-n, sepse në fund të fundit, të gjitha këto janë detyrime që rrjedhin nga angazhime madhore që ka marrë Shqipëria. LSI do të përkrahë vetëm ndryshimet e mirëkonsultuara me aleancën”, deklaroi Rama, duke lënë të kuptohet se katër deputetët e LSI-së do të votonin kundra kësaj nisme. Nisur nga ky qëndrim dhe nga fakti se Partia Socialiste është shprehur që herët kundër kësaj nisme, PD rrezikon të mos ketë votat e duhura pro për miratimin në sallën e Kuvendit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare ende nuk kanë në duar ndonjë draft dhe nuk kanë planifikuar asnjë seancë debati për projektligjin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në prononcime për gazetën “Shqip”, kryetari demokrat i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, dhe nënkryetari socialist, Ilir Gjoni, shprehen se ndonëse miratimi i kësaj nisme është përcaktuar për në seancën e 22 korrikut, ata nuk kanë as draft në dorë apo informacion se çdo të ndodhë realisht me ligjin e SHISH-it. Ndryshimet në ligjin e SHISH-it u miratuan nga qeveria shqiptare në marsin e këtij viti, por projektligji “ngeci” në Kuvend, pasi filloi edhe “furtuna” e reagimeve të ndërkombëtarëve.

Për këto ndryshime, të cilat parashikojnë kufizimin e mandatit të drejtuesit të SHISH-it në pesë vjet dhe kërkojnë njoftimin e kreut të qeverisë për çdo veprim të këtij institucioni, reagim publik bëri ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Xhon Uidhers. Në një deklarim për mediat, Uidhers deklaroi se kjo nismë nuk ishte e pranueshme.

Më pas ka qenë vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, i cili në një bisedë telefonike me Kryeministrin Berisha, më pas edhe gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, kërkoi në mënyrë energjike anulimin e kësaj nisme ligjore, me pretendimin se ajo shkelte parimet e NATO-s.
Pas këtyre reagimeve, drafti me ndryshimet u tërhoq, por tashmë pas katër muajsh ai rikthehet në Parlament për të kërkuar votën e deputetëve.

Ende nuk dihet nëse në seancën e pas dy ditëve ky projektligj do të hidhet në votim nga ana e drejtueses së seancës, apo nuk do të provohet fare një veprim i tillë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›