E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: “Tokat e mia vetëm në Tropojë”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha u përgjigjet akuzave të socialistëve për tokat në bregdet. Edhe pse nuk ka pranuar kërkesën për interpelancë, Berisha nuk ka mundur të qëndrojë pa reaguar pas akuzave të përsëritura të nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, për zotërimin e tokave në vijën bregdetare. Ai pohoi se tokat e tij janë vetëm në Tropojë dhe në asnjë vend tjetër të Shqipërisë. “Garantoj se respekti im për opozitën nuk lëkundet nga asnjë lloj qëndrimi i individëve të caktuar të saj dhe nga asnjë lloj trillimi dhe shpifje e tyre, apo vendimi që ajo mund të marrë”, - tha Kryeministri pas akuzave të opozitës. Ai pohoi se nuk mund të bier në merimangën e shpifjeve dhe trillimeve të përditshme që i gatuan kuzhina e politikës së re. “Akuzohem se paskam dhënë rërë, por këto janë çmendurira. Po kujt i paskam dhënë rërë, kur nuk më ka kërkuar njeri rërë që kur jam bërë Kryeministër e deri më sot? Kjo është fabrika e mashtrimeve të politikës së re. Akuzohem se kam prona në Jug. Por, unë nuk kam një metër katror, përveçse në Tropojë dhe në asnjë vend tjetër në Shqipëri. Dhe atë ua fala fshatarëve të mi”, - sqaroi Kryeministri duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për pasurinë e tij. Gjithashtu, Berisha rikonfirmoi qëndrimin e tij edhe ndaj ngjarjes së Gërdecit për të cilën tha se nuk ka pasur dijeni. “Ajo që kam deklaruar dhe deklaroj është se Kryeministri nuk ka pasur asnjëherë dijeni, zero dijeni. Kjo është e vërteta e pamohueshme dhe askush nuk mund të faktojë tjetër veç kësaj”, - u shpreh Berisha. Kreu i Ekzekutivit pohoi më tej se nga jugu në veri, Shqipëria është në rindërtim dhe investimet nuk janë përqendruar në Shkodër apo Kukës, siç thotë opozita. Ai e konsideroi këtë si një politikë përçarëse, ndërsa Leskajn e quajti zëdhënëse të politikës së re. Lidhur me akuzat e Braçes për interpelancat e kërkuara nga PS, Kryeministri tha se nuk i përgjigjet shpifjes. Sipas tij, politika e re është e faktuar si politika e shpifjeve dhe trillimeve. Gjatë seancës së djeshme, kreu i Ekzekutivit ka përshëndetur nënshkrimin e Protokollit të Aderimit në NATO. Sipas Berishës, reformat e ndërmarra prej tij e bindën NATO-n të merrte vendimin për të afruar Shqipërinë në gjirin e vendeve të Aleancës.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›