E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk është në interes të BE-së të krijojë mure për Ballkanin”

Autori i Lajmit: red.
Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të jetë i rrethuar me mure, përkundrazi, është në interesin më të mirë të BE-së që të ketë dialog dhe bashkëpunim me fqinjët e saj dhe ndër ta, fqinjët e Mesdheut janë fqinjët e parë të BE-së. Deklarata e kryeministrit Sali Berisha u bë dje në një intervistë për agjencinë shtetërore franceze të lajmeve AFP. Intervista u krye në prag të vizitës së tij në Paris, ku është i ftuar i Presidentit francez, Nikola Sarkozi, për të marrë pjesë në Samitin e Vendeve Mesdhetare dhe në Festën Kombëtare të Francës.

- Cilat janë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës?

- Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera. Franca ka mbështetur fuqishëm të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe aspiratën për integrimin në NATO dhe BE. Franca ka luajtur një rol qendror, nga më të rëndësishmit, në stabilitetin në Ballkan. Është ndër të parat vende që njohu pavarësinë e Kosovës.

- Çfarë pret Shqipëria nga presidenca franceze e BE-së?

- Presidenca franceze e BE-së është shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën. Franca është vend themelues dhe promotor i Bashkimit Evropian. Jam i bindur se agjenda e shpallur nga presidenti Sarkozi do të arrihet dhe procesi i integrimit do të konsolidohet më tej. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si vende shumë të interesuara për avancimin e proceseve integruese, do të kenë një dialog të hapur dhe intensiv me kryesinë e radhës të BE-së dhe qeverinë franceze.

- Cili është mendimi juaj për iniciativën e presidentit Sarkozi për Unionin e Vendeve të Mesdheut, i cili do të mblidhet në samitin që do të zhvillohet në Paris, në datën 13 korrik?

- Mendoj se kjo është një iniciativë jashtëzakonisht e rëndësishme, një ridimensionim në kohë i iniciativës së Barcelonës, një dialog dhe bashkëpunim i domosdoshëm për të dy brigjet e Mesdheut dhe mbarë Evropën, por i dobishëm do të thosha dhe për të gjithë botën e sotme. Ky rajon është rajoni i zhvillimeve të mëdha e të gjithanshme, i shumë kulturave dhe qytetërimeve, i konflikteve, pa zgjidhjen e të cilave, paqja në botë nuk mund të jetë e sigurt. Kjo iniciativë bashkon vende, të cilat mund të angazhohen së bashku, në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre, në të gjitha çështjet e përcaktuara si temat kryesore të këtij Samiti, që janë energjia, pastërtia e ambientit, ekonomia dhe kultura, pastërtia e ujërave, marrëdhëniet politike. Jam i bindur se kjo është një iniciativë me perspektivë të madhe, është një takim historik që hap një kapitull të ri dhe të rëndësishëm.

- Nuk mendoni se është një barrierë që i bëhet BE-së, sepse ka dhe mendime të kundërta për të?

- Përkundrazi. Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të jetë i rrethuar me mure, por, përkundrazi, është në interesin më të mirë të BE-së që të ketë dialog dhe bashkëpunim me fqinjët e saj dhe ndër ta, fqinjët e Mesdheut janë fqinjët e parë të BE-së. Unë mendoj se ky bashkëpunim në të ardhmen mund të ketë efekte pozitive dhe mund të zgjerohet.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›