E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri britanik: Qeveria te hape dialogun politik me opozitën

Kryeministri britanik, Gordon Braun, i përcjell një mesazh të fortë homologut shqiptar. “Ky është moment jetik për Shqipërinë”. Ai përmend përparësitë urgjente

Albert Gjoka

“Qeveria e re duhet të kryesojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve dhe partive politike në dialogun politik”. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë dje Londra zyrtare për Shqipërinë, në realitetin e ri paszgjedhor dhe kur partia më e madhe e opozitës ka bojkotuar Kuvendin dhe pritet të nisë protestat në sheshe. Ambasadorja britanike në Tiranë i ka përcjellë mesazhin zyrtar të kryeministrit Gordon Braun, kreut të qeverisë shqiptare. Sipas njoftimit të përfaqësisë diplomatike të Londrës në vendin tonë, “ky është momenti jetik për Shqipërinë, si shteti më i ri, anëtar i NATO-s dhe kërkues për statusin e vendit kandidat në BE”. Ambasadorja Fiona Mekllëham ka takuar dje edhe ministrat e kabinetit “Berisha”, ku ka përcjellë të njëjtin mesazh.
Deklarata
Në mesazhin e urimit për kryeministrin Sali Berisha, kryeministri Gordon Braun nënvizonte se “Ky është një moment jetik për Shqipërinë, si shteti më i ri anëtar i NATO-s dhe kërkues për statusin e vendit kandidat në BE. Do të jetë me rëndësi që qeveria Juaj e re të demonstrojë menjëherë angazhimin për programin gjithëpërfshirës të Shqipërisë dhe shpresoj se qeveria Juaj do të kryesojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve dhe partive politike në dialogun politik dhe veprimet për stimulimin e reformave”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës Britanike. Sipas tij, kryeministri Gordon Braun theksoi gjithashtu se “reforma e Gjyqësorit dhe progresi i qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit janë tanimë përparësi urgjente nëse Shqipëria kërkon të përmbushë standardet europiane. Shpresoj të kemi progres real në të dyja fushat”. “Ministrat britanikë kanë nënvizuar gjithashtu bashkëpunimin e fortë ekzistues në luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën e Gjyqësorit, si fusha ku ata shpresojnë të shohin vëmendje të shtuar”, - thuhet në deklaratën e përfaqësisë britanike në Tiranë. Po ashtu, ambasadorja Mekllëham i ka përcjellë mesazhin e sekretarit të Jashtëm David Miliband homologut shqiptar, zotit Ilir Meta. Në të nënvizohet “roli ndihmues dhe konstruktiv i Shqipërisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Kosovë” dhe shpresën e tij se kjo gjë do të vazhdojë”. Zonja Fiona Mekllëham, pasi ka uruar qeverinë e re, ka “ritheksuar mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe programin e reformave që do të sigurojnë të ardhmen europiane”.
Standardet
Vetëm pak ditë më parë, ambasadorja britanike në vendin tonë bëri një deklaratë të fortë gjatë një leksioni që mbajti në Universitetin e Vlorës rreth liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat të BE-së. “Kushtet ekzistojnë dhe janë themelore për besueshmërinë dhe ritmin e procesit të zgjerimit. Dhe në klimën aktuale ekonomike dhe politike, dëshira për t’i ulur këto standarde, pavarësisht sa të forta janë argumentet gjeopolitike, është e vogël”, - tha zonja Fiona Mekllëham gjatë leksionit me temë: “Zgjerimi i BE-së në 2009-n; - Një perspektivë britanike”. Ajo nuk la shteg të hapur për favorizim apo mbështetje të pamerituar për qeverinë shqiptare në rrugën drejt integrimit.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkombëtarët e vlerësuan procesin, por, sipas tyre, nuk u arritën plotësisht standardet. Në anën tjetër, opozita ka kontestuar procesin dhe deputetët e saj nuk kanë hyrë në Kuvend.
Dy ditë më parë, kreu i partisë më të madhe në vend paralajmëroi zhvillimin e protestave. Këto zhvillime politike ndodhin në momentin kur pritet të merret një vendim për statusin e vendit kandidat të BE-së, si dhe heqja e vizave me Shqipërinë gjatë vitit pasardhës.

Ndërkombëtarët: Beteja politike, në Kuvend

Përfaqësuesit e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare janë shprehur në vazhdimësi për vazhdimin e dialogut politik mes partive dhe zhvillimin e betejës politike në Kuvend. Deklarata zyrtare e Presidencës suedeze të BE-së, pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it, vë theksin në problemet e zgjedhjeve, sidomos presionet e qeverisë gjatë fushatës, por shtron domosdoshmërinë e zhvillimit të proceseve politike në institucione. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe ambasadori gjerman në Tiranë apo përfaqësuesi i Komisionit Europian, zoti Lohan. Më kritike për procesin zgjedhor është treguar Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka kritikuar jo vetëm fushatën e dhunshme zgjedhore, por edhe procesin e numërimit të votave dhe shpalljen e rezultateve.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›