E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e 10 tetorit, PS-ja thërret tryezën opozitare



Shaban Motra
Partia Socialiste do të organizojë zhvillimin e tryezës opozitare për të diskutuar dhe koordinuar përgatitjet për protestën e 10 tetorit, si shenjë e qëndrimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e votimit. Burime nga selia rozë thanë se gjatë javës së ardhshme është planifikuar zhvillimi i një tryeze të përbashkët. Për këtë do të dërgohen ftesa të posaçme për përfaqësuesit dhe drejtuesit e të gjitha partive opozitare, të majta e të djathta, të cilat pritet të mbështesin dhe të jenë të pranishme në këtë protestë. Në tryezë pritet të diskutohen edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin e frontit opozitar.

Tryeza
Në këtë takim pritet të jenë të pranishëm kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe përfaqësuesit e 4 partive aleate; kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, si dhe kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj. Por ftesa nuk do të mungojë edhe për krerët e partive të djathta, të cilët janë pozicionuar në opozitë ndaj maxhorancës aktuale. Kështu, të pranishëm pritet të jenë kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, ndërsa një ftesë pritet t’i dërgohet edhe kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Në fakt, organizimi i një tryeze opozitare dhe gjithëpërfshirëse ka qenë një prej kushteve të vendosura nga partitë e djathta, për të marrë pjesë në protestën e 10 tetorit, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me Partinë Socialiste. Në këtë takim do të diskutohet për organizimin dhe pjesëmarrjen në protestën e 10 tetorit.

Protesta
Partia Socialiste shpalli dy ditë më parë nisjen e protestave popullore në shenjë pakënaqësie ndaj qëndrimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e votimit dhe për të mos bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se organizimi i protestave është i domosdoshëm në kushtet kur kryeministri Sali Berisha ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme të plotësojë kërkesën legjitime të Partisë Socialiste për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryesocialisti nuk hezitoi të bënte një ftesë gjithëpërfshirëse edhe në drejtim të partive të djathta opozitare. “Gjendja e rëndë e vendit dhe e shoqërisë në kushtet e thellimit të krizës së demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë e vendosin tërë opozitën shqiptare, grupet politike e shoqërore dhe çdo individ që refuzon të jetojë kokulur në një vend ku s’ka asnjë barazi para ligjit e ku çdo liri dhe e drejtë është e kërcënuar pa pushim, përpara detyrimit patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral e mashtrimin publik”, - deklaroi Rama dy ditë më parë.

Xhaçka: “Liberalizimi i vizave nuk pengohet nga protestat, por nga dështimet e qeverisë”

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, sipas të cilit protestat që do të organizohen nga opozita do të dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave. Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, tha se nuk janë protestat e opozitës ato që dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave, por dështimet e qeverisë dhe mospërmbushja e detyrave nga ana e saj. “Dje, Ilir Meta, zëvendësi i kryeministrit, e akuzoi opozitën se nëpërmjet protestave për votën e lirë po pengonte gjithë procesin e liberalizimit të vizave dhe njëkohësisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE. Dëshirojmë t'u bëjmë me dije Sali Berishës, Ilir Metës dhe mbarë opinionit publik, se Shqipëria nuk është përfshirë në programin e liberalizimit të vizave për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë të qeverisë ‘Berisha’, dhe jo për faj të kontributit të munguar të opozitës, i cili ka qenë i qenësishëm në 4 vitet e shkuara. Këto janë kushtet e paracaktuara nga KE-ja, ku asnjëra prej tyre nuk mohon të drejtën e opozitës dhe gjithë shqiptarëve për të protestuar për votën e lirë. Ndaj ne, sot, këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i bëjmë thirrje Ilir Metës t'i lërë karagjozllëqet, të mos dezinformojë publikun, të mos bëhet megafon i politikës boshe të Sali Berishës, por të ulë kokën dhe të bëjë detyrat e shtëpisë, sepse sot për sot Shqipëria ka mbetur në klasë dhe të dy bashkë janë ngelës në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t'u mundësuar shqiptarëve lëvizjen e lirë në BE”, - tha Xhaçka.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›