E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: Përgjimet, Berisha po e kthen Shqipërinë në vend “çimkash”



Partia Socialiste ka reaguar pas propozimeve për ndryshimet në ligjin “Për përgjimet e telekomunikacioneve”, të cilat i japin të drejtën edhe Ministrisë së Financave për të kërkuar përgjimet. Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, tha se një ligj i tillë është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Hysi tha se ndryshimet në këtë ligj justifikohen nga qeveria si një hap në luftën kundër korrupsionit, por, nga tjetër, janë një tregues mjaft i qartë se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. Deputetja socialiste theksoi se një iniciativë e tillë bëhet akoma edhe më e dyshimtë kur në krye të departamentit të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ish-gjenerali i Berishës i vitit ‘97. Ajo e akuzoi kryeministrin Berisha se po e kthen Shqipërinë në një vend çimkash, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. “Shtimi i “çimkave” dhe i përdoruesve të tyre argumentohet me nevojën e luftës kundër korrupsionin në shtëpinë e çdo ministrie, dhe në atë të Financave. Këto argumente ngrihen në një kohë kur qeveria trumbeton më të madhe se ka qenë e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, se respekton liritë dhe të drejtat e njeriut dhe se bizneset në Shqipëri kanë një atmosferë mjaft të mirë për t’u zhvilluar. Në fakt, ndryshimet që propozohen të bëhen në ligj duke i dhënë, ndër të tjera, edhe Ministrisë së Financave të drejtën e interceptimit të bisedave të përditshme të punonjësve të vet, tregojnë qartë se jo vetëm lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë e suksesshme, por se kjo luftë kërkohet të bëhet duke anashkaluar organet kushtetuese dhe të specializuara në fushën e përgjimeve të telekomunikacioneve, duke shkelur rëndë liritë dhe të drejtat e çdo punonjësi të administratës tatimore dhe doganore, por, mbi të gjitha, të bizneseve. Këto propozime janë një kërcënim serioz për bizneset shqiptare dhe një mundësi tjetër për goditje selektive të bizneseve. Bëhet akoma më e dyshimtë kjo iniciativë ligjore kur në krye të departamentit të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është ish-gjenerali i Berishës i vitit ‘97. Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë që të ndalë hapat mbrapsht që synojnë të injorojnë hetimet e pavarura të fenomeneve korruptive në të cilat noton kjo qeveri dhe t’u japë fund shkeljeve sistematike të lirive dhe të drejtave të njeriut nën sloganin e luftës kundër korrupsionit.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›