Presidenca suedeze e BE-së: “Jo regjim pa viza pa plotësuar kushtet”
Nuk ka heqje të vizave me Shqipërinë pa plotësuar kushtet. Ky është mesazhi që vjen nga Presidenca suedeze e Bashkimit Europian për Tiranën zyrtare, njëherësh një deklaratë bllokuese ndaj nismës së europarlamentares sllovene për futjen e dy vendeve të rajonit në të njëjtin bllok me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi për regjimin e ri të lëvizjes në komunitetin europian. Gjatë një interviste dhënë BBC-së, ministri suedez i Migrimit dhe Politikave të Azilit të Suedisë, Tobias Billstrom, tha: “Unë do të doja të nënvizoja, në emër të Presidencës suedeze, rëndësinë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë do të mund të përfshihen në këtë regjim të lehtësimit të vizave; Do të donim, gjithashtu, që të inkurajojmë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme, me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre”. “Të gjitha vendet që duan të kenë liberalizim të vizave me BE-në duhet të përmbushin kërkesat e këtyre udhërrëfyesve. Nëse e bëjnë këtë ata do të lejohen të hyjnë brenda në këtë regjim; nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të presin derisa t'i përmbushin kërkesat”, - deklaroi prerë zoti Billstrom, duke shtuar se “kjo është një politikë shumë e thjeshtë”. Në këtë mënyrë, ai i dha përgjigje edhe nismës më të fundit të europarlamentares sllovene, Tanja Fajon, reporteres së posaçme të Parlamentit Europian për çështjen e vizave. Ajo ka hedhur një propozim të ri, që në paketën ligjore që pritet të kalojë për votim, të futen edhe Shqipëria dhe Bosnja, por heqja e vizave me këto dy vendeve të bëhet vetëm pasi të plotësojnë kushtet. Një propozim i tillë bëhet për të shkurtuar procedurat burokratike nëpër institucionet e BE-së, si dhe për dhënien e një mesazhi pozitiv për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
3 Tetor 2009