E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri, “dush të ftohtë” uniformave blu për hashashin

25/03/2010 Kryekomunarët të japin informacione për parcelat me drogë, ose të arrestohen

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha i ka bërë “dush të ftohtë” efektivave të policisë së shtetit, pasi sipas tij ata nuk kanë punuar maksimalisht për parandalimin e kultivimit të hashashit në vend. Kreu i qeverisë shqiptare pranoi faktin se në Shqipëri, kryesisht në zonat malore vazhdohet të kultivohet lëndë narkotike, e cila më pas trafikohet nga persona të ndryshëm në shtetet Greqi dhe Itali. Berisha kërkoi nga krerët e policive në qarqe që të marrin masa ndaj zyrtarëve të komunave, të cilët sipas tij edhe pse kanë informacione për parcelat e hashashit e kultivuesit e tyre, nuk denoncojnë në polici. Nisur nga kjo situatë, Kryeministri i propozoi policisë që të shpërblejë financiarisht të gjithë qytetarët që japin informacione, lidhur me vendndodhjen e plantacioneve me hashash. Berisha e lidhi suksesin kundër luftës ndaj drogës edhe me rrugëtimin e vendit në procesin e integrimit dhe liberalizimin e vizave. Sipas tij, ulja e sasive të drogës së kultivuar do të përmirësonte imazhin e vendit në radhët e shteteve të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër Kryeministri premtoi se do të ndihmojë policinë e shtetit, me të gjitha pajisjet moderne të investigimit të lëndëve narkotike. Premtimi i tij u mbështet edhe nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili bëri me dije se shumë shpejt parcelat me lëndë narkotike do të monitorohen nëpërmjet pamjeve që do të ofrohen nga sateliti. Kjo mënyrë kërkimi do të mundësonte lokalizimin më të shpejtë të kultivimit të hashashit, çka do sillte edhe ndalimin e personave kultivues.

Komunat e drogës

Zonat më të prekura nga kultivimi i hashashit janë: komunat Shllak dhe Temal në qarkun Shkodër, komuna Lazarat në qarkun Gjirokastër, komunat Nikel dhe Cudhi në qarkun Durrës, komunat Cakran, Hekal, Kut, Remas dhe Bashkia Patos në qarkun Fier, komunat Vllahinë, Sevaster, Armen dhe Brataj në qarkun Vlorë. Këto 14 komunat janë cilësuar nga policia e shtetit, si vendet ku kultivohet lënda narkotike, e cila më pas nga persona të ndryshëm trafikohen në disa shtete fqinje.

Drejtori Hysni Burgaj

Në zbatim të planit të veprimit 2009, policia e shtetit ka angazhuar jo vetëm strukturat antidrogë, por të gjitha strukturat e Policisë së Rendit ku janë kryer rreth 120 operacione për asgjësimin e bimëve narkotike dhe janë angazhuar një numër i konsiderueshëm forcash policie. Si pasojë e këtyre operacioneve të kryera nga toka dhe ajri, është konstatuar se gjatë vitit të kaluar fenomeni në shkallë vendi është ulur me 14%. Kjo shifër pritet të ulet akoma më tepër gjatë operacione, që tashmë kanë filluar nga policia.

Ministri Basha

Policisë së shtetit për herë të parë do t’i vihen në dispozicion mjetet më moderne teknologjike siç është dhe vëzhgimi satelitor. Angazhimi i të gjitha strukturave të policisë së shtetit është dhe mbetet elementi primar dhe thelbësor i këtij plani, por ai duhet dhe do të shoqërohet përveç bashkëpunimit të ngushtë me pushtetin vendor edhe me bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e tjera, me Ministrinë e Bujqësisë për kontrollin e territorit dhe të farërave, me Ministrinë e Mjedisit për kontrollin e fondit pyjor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›