E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet nr 1 i Prokurorisë së Durrësit

25/03/2010 Kryeprokurorja Ina Rama njeh të sapozgjedhurin Binaj me stafin e akuzës

Bujar Sheshi lexon raportin vjetor. Probleme me pushimin e dosjeve

DURRES- Kryeprokurorja Ina Rama ka prezantuar ditën e djeshme Altin Binaj si drejtuesin e ri të Prokurorisë së rrethit të Durrësit. Numri një i akuzës shqiptare ka shfrytëzuar analizën vjetore të kësaj prokurorie, për të zhvilluar ceremoninë e prezantimit të prokurorit të sapodekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Mësohet se gjatë raportit vjetor të lexuar nga ish-drejtuesi i komanduar Bujar Sheshi, janë vënë re se disa nga dosjet të hetuara nga kjo prokurori që janë të pushuara dhe të pezulluara. Burimet nuk pranuan të jepnin shifra konkrete, por shtuan se gjatë analizës u konstatua dhe një numër i konsiderueshëm pafajësi të marra në gjykatë. Ndërkohë që vetë Kryeprokurorja Ina Rama kërkoi më shumë impenjim nga prokurorët e kësaj akuze, duke i tërhequr vëmendjen atyre në zhvillimin e hetimeve profesionale dhe administrimin me korrektësi të fakteve në dosje. Gjithashtu një pikë tjetër ku është ndaluar Kryeprokurorja, ka qenë edhe bashkëpunimi dhe harmonia në grup, pikë kjo që gjatë vitit 2009 nuk ka qenë e mjaftueshme për këtë Prokurori, e cila për nga madhësia cilësohet e dyta në rang vendi, pas asaj të Tiranës. Mësohet se gjatë zhvillimit të analizën ishte i pranishëm edhe drejtuesi i dorëhequr dhe më pas i shkarkuar nga Kryeprokurorja Ina Rama, Arjan Ndoja. Ky i fundit aktualisht vazhdon të jetë prokuror i thjeshte, ndërkohë që pas largimit të tij akuza e Durrësit u drejtuar për rreth 4 muajsh nga prokurori në karrierë Bujar Sheshi. Tashmë “timonin” e kësaj prokurorie e ka marrë ish-drejtuesi i Prokurorisë së Fierit Altin Binaj, i cili në votimin e këshillit doli në balotazh me tre prokurorët të tjerë dhe më pas Ina Rama i propozoi Presidentit Topi për dekretimin e tij. Në garë për postin e drejtuesit të Durrësit, ishin 14 kandidatë prej të cilëve u zgjodhën vetëm katër. Mes emrit të Altin Binaj ishin edhe tre prokurorët e tjerë si Adnand Xholi i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, drejtuesi i Shkodrës dhe Ardian Ylli prokuror i thjeshtë në Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›