E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri ekspozon zhvillimet e vendit perpara investitoreve italiane

Një ekspoze e zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, e klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë erdhi për investitorët italianë nga Kryeministri, Sali Berisha. Kështu, gjatë vizitës në Romë, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që u zhvillua në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e 100 sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë

Në këtë takim, shefi i qeverisë shqiptare vuri theksin pikërisht në objektivi kryesor të qeverisë se tij që është “Shqipëria - një vend i zhvilluar”.
“Shqipëria do të bëhet një vend i zhvilluar dhe do të hyjë në BE me pjesëmarrjen e investitorëve italianë para së gjithash dhe investitorëve të tjerë të huaj. Ne kemi nevojë për këto investime të huaja më shumë se çdo vend tjetër. Të dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara dëshmojnë se investimet e huaja në Shqipëri nga 2007 deri në 2011 janë rritur me 316%. Të dhënat tona dëshmojnë se eksportet shqiptare nga 2009 deri në 2011 janë dyfishuar. Shkëmbimet me Italinë janë dyfishuar në 5 vitet e fundit. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që ka pasur një rritje të investimeve të huaja gjatë viteve të fundit. Midis investimeve të huaja, të parët janë investitorët italianë që marrin pjesë në zhvillimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë shqiptare”, vuri në dukje Berisha.

Njëkohësisht, Kryeministri bëri me dije se vendi ynë sot ofron sportel unik, jo vetëm për regjistrimin e biznesit, por edhe për lejet e licencat. Madje, sipas tij, së shpejti do të krijohet një sistem gjurmimi, që do të thotë se një sipërmarrës mund të ndjekë kudo në administratën e shtetit shqiptar, dokumentin që ai ka paraqitur.
“Raportet tona politike janë të shkëlqyera. Raportet tona ekonomike po shtohen edhe më shumë. Edhe në dy vitet e fundit ka pasur një rritje prej 40 % të shkëmbimeve, por e vërteta është që potencialet janë për shumë më tepër. Unë ju lutem investitorëve italianë që para se të konsiderojnë Kinën apo Indinë të shohin njëherë nga ky vend i vogël, por plot mundësi, i cili ofron avantazhe të mëdha. Një ditë udhëtoja me një sipërmarrës italian, i cili më tregoi se kishte investuar në Indi. Kur unë e pyeta pse, ai më tha se atje flisnin shkëlqyeshëm anglishten dhe unë i thashë, ejani në Shqipëri, se flasin shkëlqyeshëm italishten”, nënvizoi Berisha, gjatë fjalës së tij.

Gjithashtu Berisha garantoi investitorët italianë se duke filluar nga ky vit, investuesit që do të investojnë në zonat malore nuk do të paguajë asnjë taksë, për tetë vjet. Kështu, duke u ndalur dhe në sektorin e turizmit, Berisha veçoi faktin se Shqipëria ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm.

Për këtë arsye, Kryeministri radhiti trashëgimitë kulturore dhe bukuritë që gjithsecili prej tyre mund të gjejnë në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›