E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri fiton kohë, negociata për zëvendësin e Barkës

PBDNJ-ja nuk do ta ketë dhe aq të lehtë të zgjedhë për pasardhës të Kosta Barkës emrin e Andrea Martos në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Kjo, për faktin se Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dy emra të propozuar, ndërkohë që aktualisht kryesia e kësaj partie ka zgjedhur vetëm atë të Martos. Burime pranë bisedimeve dypalëshe bëjnë të ditur se gjatë takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi para dy ditëve me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i kërkoi atij dy emra konkretë me qëllim përzgjedhjen mes tyre. Madje mësohet se ndonëse nuk e ka pritur mirë largimin e Barkës, Berisha i ka sugjeruar z. Dule që të jetë ai ministër në vend të tij për faktin se është dhe deputet në Parlament. E kundërta është me Andrea Marton, i cili nuk është i zgjedhur në Kuvend. Por duket se një gjë e tillë nuk e ka bindur z. Dule i cili ka njoftuar kreun e qeverisë se kryesia do t’i delegojë një emër tjetër. Kjo, edhe për faktin se sipas statutit të PBDNJ-së, një deputet nuk mund të jetë njëherësh edhe ministër në kabinetin qeveritar. Pas këtij momenti mësohet që Kryeministri të ketë caktuar një negociator me palën e PDBNJ-së, dhe pritet që emri i ministrit të ri të dalë nga negociatat mes palëve. Në këtë mënyrë, zgjedhja e Martos duket disi e ngadaltë deri në momentin e propozimit të një kandidature të dytë nga kjo parti. Sipas procedurave, në momentin që dy kandidaturat të mbërrijnë në tavolinën e Berishës, ato do t’i përcillen Presidentit të Republikës për dekretim dhe më pas kalojnë për votim në Parlament. Kryeministri është shprehur se sido që të jetë, është i hapur për të marrë parasysh kërkesën e PBDNJ-së për zëvendësimin e Kosta Barkës në krye të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale me qëllim zbatimin e një marrëveshjeje elektorale gjatë zgjedhjeve të 2005-ës mes PD-së dhe partisë që drejton Vangjel Dule. Prej ditësh, në PBDNJ kanë plasur akuzat ndaj Kosta Barkës, të finalizuara këto me propozimin e një emri tjetër për këtë post. PBDNJ-ja është aleatja e tretë e Berishës që tenton të heqë ministrin e saj nga qeveria. Tentativa të tilla me parë janë shfaqur në Partinë Agrare ku një grup të pakënaqurish akuzonin dhe kërkonin largimin e Xhuvelit. Po kështu, edhe demokristianët u ndanë në dy formacione për shkak të Nard Ndokës, të cilin një pjesë e demokristianeve e akuzonin për korrupsion.

Zogaj: Ndryshimet në qeveri dëmtojnë imazhin e qeverisë

Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, mendon se një tjetër proces ndryshimesh në kabinetin qeveritar mund të dëmtojë imazhin e elektoratit të djathtë para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, afrimi i zgjedhjeve të 2009-ës i bën të pafrytshme dhe të panevojshme lëvizjet në qeveri, duke dëmtuar imazhin e saj para zgjedhësve të djathtë në të gjithë vendin. Deklarata vjen nga një prej anëtarëve më të vjetër të Partisë Demokratike, Preç Zogaj, duke komentuar efektin domino të zëvendësimit të Kosta Barkës me një tjetër anëtar të partisë së tij. “Me afrimin e zgjedhjeve, ndryshimet bëhen gjithnjë e më të pafrytshme apo të panevojshme ose nuk ka një entuziazëm që do të kishin po të bëheshin me parë. Megjithatë, ndryshimet në kabinet bëhen kurdoherë, bëhen edhe në prag të zgjedhjeve”, - tha Zogaj. Sipas tij, mund të flitet për një ridimensionim të kabinetit, vetëm nëse synohet një përfaqësim më i gjerë i grupeve të mazhorancës në kabinet, pa devijuar nga imazhi i saj i zgjedhjeve të kaluara. “Një analizë serioze të punës së secilit ministër dhe me një reflektim serioz të votës që kemi marrë në 2005-ën të shkojë drejt disa ndryshimeve në qeveri; sepse pikëpamja është kjo, që qeveria duhet t’i ngjajë fitores, që në qoftë se fitorja është arritur në këtë formë dhe qeveria duhet të jetë në atë formë”, - tha z. Preç Zogaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›