E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Të zgjidhet çështja e përbërjes së KQZ-së

Komisioni Evropian po sheh me shqetësim përgatitjet e klasës politike shqiptare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kur kanë mbetur dhe pak muaj nga këto zgjedhje që pritet të mbahen në qershorin e ardhshëm, akoma nuk është bërë Kodi i ri Zgjedhor dhe kartat e identitetit. Por një çështje tjetër që duket se duhet të marrë zgjidhje politike dhe që pritet të fusë në debat të ashpër atë, do të jetë pikërisht përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pasi u hoq nga Kushtetuta neni për këtë institucion, ai do të rregullohet me anë të ligjit zgjedhor dhe pritet një rikonfirmim i tij, gjë që e pranoi dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan. Ai shfrytëzoi prezantimin e disa projekteve të rëndësishme të KE-së për t’i bërë thirrje klasës politike në Shqipëri, që "të gjejë konsensusin sa më të shpejtë që të jetë e mundur për sa i përket Kodit të ri Zgjedhor, në mënyrë që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës". Megjithëse deklarata e tij ishte e shkurtër ai përmblodhi në të gjithë shqetësimin e KE-së që të mos humbet kohë për Kodin e ri Zgjedhor dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Lohan i bëri apel politikës shqiptare që të mos humbë më kohë, por të përfundojë punën për Kodin Zgjedhor. "Zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në fund të qershorit 2009, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjitha përgatitjet të përfundojnë shumë më përpara se data e zgjedhjeve. Për këtë arsye problemi i përfundimit të Kodit të ri, prodhimit të kartave të identitetit, si dhe çështja e përbërjes së KQZ-së duhet të jenë zgjidhur në një të ardhme të afërt", - tha ambasadori Lohan. Në këtë mënyrë ai nuk ka prekur vetëm çështje të diskutimit të përditshëm politik, siç janë kartat, por dhe një plagë akoma të pahapur siç është KQZ-ja.

Ky institucion ka qenë pothuajse përherë molla e sherrit mes partive të mëdha para zgjedhjeve. Përbërja e saj, kryesisht me orientim politik, ka bërë që KQZ-ja të shihet me pasion nga palët duke çuar në rikompozime të herëpashershme të saj. Herën e fundit KQZ-ja u bë me 9 anëtarë për të zbatuar një marrëveshje mes PD-së e PS-së me aleatët e tyre, PDK dhe LSI. Por duket se një KQZ e re do të jetë sërish si dikur bipartizane, pra PD-PS pse do të jetë një institucion teknik, variant që po fiton pikë gjithnjë e më tepër.

Asistenca, 245.1 milionë euro për administratën

Prioritet i asistencës evropiane në Shqipëri vazhdon të mbetet reformimi i administratës dhe ndërtimi i institucioneve të pavarura. Për këtë qëllim një shumë e madhe parash i jepet në formë granti vendit tonë për një periudhë dyvjeçare. Komisioni Evropian miratoi dje direktivat strategjike të asistencës së BE-së për Shqipërinë (Dokumenti Udhëzues i Planifikimit Shumëvjeçar) për vitet 2008-2010. Kjo ndihmë ka për qëllim ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, të përmirësojë reformat politike dhe ekonomike, si edhe përafrimin me standardet evropiane në sektorët që kanë të bëjnë me hyrjen dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Një element i veçantë i programit do të financojë bashkëpunimin ndërkufitar. Për periudhën dyvjeçare, shuma e përgjithshme e udhëzuar e ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë – në formën e granteve nga buxheti i Komunitetit – është 245.1 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit i është caktuar mbështetjes së aktiviteteve të Komponentit I të IPA-s për Ndihmën për Tranzicionin dhe Ndërtimin e Institucioneve (214.7 milionë euro). Një pjesë më e vogël do t’i caktohet Komponentit II për aktivitetet e bashkëpunimit ndërkufitar (30.4 milionë euro). Siç sqaron në njoftim për shtyp delegacioni I KE-së në Tiranë, “nënkomponenti i parë politik do të fokusohet në reformën e administratës publike, mirëqeverisjen, strukturat e integrimit evropian, kontrollin financiar dhe decentralizimin e fondeve të BE-së, reformën në drejtësi dhe polici, zgjedhjet dhe konsensusin, përfshirjen shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve të rrezikuara, antikorrupsionin, median dhe shoqërinë civile”. Ndërkaq, nënkomponenti i dytë i zhvillimit ekonomik do të fokusohet te përmirësimi i situatës social-ekonomike të vendit dhe popullatës së vet duke mbështetur masa në fushat e financave publike, zbatimit të reformave strukturore, funksionimit të tregut të punës, sistemit arsimor, sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tregtisë dhe shërbimeve shoqërore. Sipas KE-së, duke mbështetur përafrimin me standardet evropiane, nënkomponenti i tretë do të financojë veprimet që përforcojnë aftësinë e Shqipërisë për të ndërmarrë detyrimet e anëtarësisë në BE. Mbështetja do të fokusohet te zhvillimi dhe zbatimi i strategjive e politikave përafruese me legjislaturën e BE-së (acquis) në fushat e tregut të brendshëm, politikave sektorale dhe në drejtësi, liri e siguri, si edhe përforcimi i strukturave të nevojshme për MSA-në dhe zbatimin e acquis. Ndihma do të përqendrohet në bujqësi e zhvillim rural, transport dhe energji. Shembuj sektorësh të tjerë që do të mbështeten më tej janë mjedisi dhe zhvillimi rajonal. Ndërkaq, pjesa e ndihmës financiare që do të shkojë për bashkëpunimin kufitar, ka si objektiv të mbështesë bashkëpunimin e Shqipërisë në këtë fushë me shtetet fqinje të Malit të Zi, Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë. Për më tepër, ky komponent do të mbështesë pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin ndërkombëtar “Evropa Juglindore” të Fondit Evropian të Zhvillimit Rajonal (European Regional Development Fund - ERDF)

Tabelë

Ndihma financiare e BE-së për Shqipërinë është 245.1 milionë euro

Ndihma për Tranzicionin dhe Ndërtimin e Institucioneve është 214.7 milionë euro

Për aktivitetet e bashkëpunimit ndërkufitar është 30.4 milionë euro.

KE, 1.7 milionë euro për lëvizjen e lirë të mallrave Shqipëri-BE

Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion 1.7 milion euro për përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave mes Shqipërisë dhe BE-së. Kjo ndihmë u bë e ditur dje gjatë prezantimit të dy projekteve të Komisionit Evropian që ndihmojnë Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të zhvillojë reforma institucionale dhe ligjore në mbështetje të lëvizjes së lirë të mallrave midis Shqipërisë dhe BE-së. Në këtë mënyrë, projektet do ta ndihmojnë Shqipërinë të përfitojë nga mundësitë që i ofrohen nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Sipas njoftimit të delegacionit të KE-së në Tiranë, 800,000 euro janë caktuar për të mbështetur aktivitete të akreditimit, standardeve dhe certifikimit në formën e ndihmës për Drejtorinë e Akreditimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit. Një fond tjetër shtesë prej 900,000 eurosh është në adresë të çështjeve të rregullave teknike, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit në formën e ndihmës për Drejtorinë e Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Ekonomisë, për Shoqatën e Konsumatorëve Shqiptarë si edhe për Inspektoratin e Përgjithshëm Teknik. Ambasadori Lohan, shef i delegacionit të Komisionit Evropian, duke vlerësuar këto projekte tha se “lëvizja e lirë e mallrave është një nga shtyllat kryesore të tregut të brendshëm të Bashkimit Evropian. Projektet që u prezantuan këtu, ndihmojnë Shqipërinë të përgatitet për pjesëmarrje në tregun e brendshëm dhe u japin shtysë të gjithë operatorëve ekonomikë që dëshirojnë t’i shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen nga masat tregtare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. Projektet do të vazhdojnë për një periudhë 2-vjeçare. Falë këtyre projekteve, autoritetet shqiptare do të përftojnë nga ngritja e kapaciteteve e trajnimeve dhe do të marrin ndihmë për të bashkërenduar legjislacionin shqiptar sipas atij të Bashkimit Evropian në fushën e infrastrukturës cilësore.

Për informacione të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni:

Adela Halo

E ngarkuar për shtypin dhe informacionin

Tel: +355 4 222 8320

Fax: +355 4 223 0752

E-mail: adela.halo@ec.europa.eu

Website: www.delalb.ec.europa.eu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›