LSI-ja, kundër dy projektligjeve të qeverisë
Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje kundër dy projektligjeve që aktualisht janë duke u diskutuar në komisionet parlamentare, draftin për administratën e gjyqësorit dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Sipas deputetit të kësaj partie, Spartak Braho, të dy projektligjet janë pjesë e "marshimit të madh" të Berishës për të pushtuar strukturat e shtetit për të vënë ato në kontroll të plotë dhe për t’i kthyer në vegla shumëpërdorimshe të qëllimeve të tij uzurpuese dhe eliminimit të pavarësisë së tyre. “Ajo që dua të theksoj që në fillim, është se grupi ynë parlamentar i konsideron të papajtueshme, antiligjore dhe antikushtetuese këto ligje në aspektin ligjor dhe antidemokratik në aspektin politik, ndaj është kundër miratimit të tyre. Të dy projektligjet janë pjesë e "marshimit të madh" të Berishës për të pushtuar strukturat e shtetit për të vënë ato në kontroll të plotë dhe për t’i kthyer në vegla shumëpërdorimshe të qëllimeve të tij uzurpuese dhe eliminimit të pavarësisë së tyre”, - deklaroi Braho. Lidhur me ligjin për administratën gjyqësore, Braho nënvizoi se disa dispozita, veçanërisht ato që i japin kompetenca të plotfuqishme kancelarit dhe sekretareve në gjykata prekin rëndë pavarësinë e gjyqësorit. Ndërsa, referuar projektligjit për SHKB-në, Braho vuri në dukje se është ligj i kontrollit të Berishës mbi Policinë e Shtetit.